Tirana është i vetmi ekip që ende nuk ka zyrtarizuar asnjë afrim, edhe pse ka akorde me disa lojtarë dhe së shpejti do të nisin edhe njoftimet për përforcimet.
Deri më tani kanë ikur pesë futbollistë, ku spikat mes tyre edhe kapiteni Idriz Batha. Elton Cale dhe Agustin Torassa janë gjithashtu në listë, së bashku me Kristi Vangjelin.
I fundit që ka tërhequr lejekalimin ka qenë i riu Jurgen Vrapi, i cili kërkon të gjejë një ekip ku do të ketë më shumë hapësira. Tirana ndërkohë është në kërkim të përforcimeve në mbrojtje e mesfushë.
Abcnews.al mëson se bardheblutë kanë në listën e objektivave Bruno Lulajn, i cili luan në mesfushë dhe mbrojtje, madje në prapavijë veçse në qendër mund të aktivizohet edhe në të djathtë.
Lulaj njihet mirë nga trajneri Shehi, pasi e ka pasur nën urdhra te Skënderbeu e Kukësi. Ai ka kontratë me verilindorët dhe mbetet të shihet nëse do arrihet të zgjidhet ky ngërç.
Në të shkuarën Lulaj është aktivizuar edhe me Laçin, ndërkohë që ka qenë pjesë e Shqipërisë U21 dhe Shqipërisë U19, me të cilat numëron 11 ndeshje, 10 prej tyre si titullar. / abcnews.al