EKSKLUZIVE/ Leksion me zhurma bombash në sfond, historia e mësuesit ukrainas që jep mësim nga llogoret

schedule10:57 - 17 Tetor, 2022

schedule 10:57 - 17 Tetor, 2022

Ky është vendi që Fedir Shandor, një mësues i sociologjise nga Ukraina, shtrin kokën çdo ditë për afro 9 muajt e fundit, larg rehatisë së një dysheku e batanijeje të ngrohtë. Larg fëmijëve, me të gjitha mendimet kushtuar atyre dhe me ankthin se ndoshta nesër nuk do të ketë fatin të zgjohet e t’i shohë sërish dritat e syve të tij. Pavarësisht rrethanave, nga profesioni e misioni i edukimit të brezave nuk ka hequr dorë. Çdo mëngjes, aty nga llogoret, me armën në njërën krah, e laptopin në dorën tjetër, Fendir Shandor fillon takimin virtual me studentët e tij të sociologjisë.

Pyetja: Sa ka ndryshuar jeta juaj që prej okupimit rus? Çfarë ka ndryshuar në përditshmërinë tuaj?

Në ditët e sotme ne kemi vëzhguar se Ukraina është një vend lirie si Shqipëria e sunduar nga Skënderbeu dikur. Jeta ime ka ndryshuar sigurisht. Kjo është hera e parë që kam marrë pjesë në luftë, por më parë unë kam qenë pedagog me profesion. Aktualisht jam ushtarak, por vazhdoj të jap leksione nga llogoret. Unë po luftoj për kombin e arsimuar.

Pyetja: Ku ndodhet familja juaj që prej fillimit të luftimeve, a janë ata të sigurt?

Unë kam një familje të madhe, katër fëmijë. Ata janë në pjesën perëndimore të Ukrainës ku është pak a shumë më e sigurt. Ata janë mësuar me qëndrimin tim në front dhe janë të vetëdijshëm për arsyet pse jam këtu.

Pyetja: Sa kohë keni në fushën e mësimdhënies, cila është lënda që ju jepni mësim?

Kam një përvojë 27 vjeçare në mësimdhënie. Unë punoj si përgjegjës i departamentit të sociologjisë dhe punës sociale në Universitet. Unë jam doktor i studimeve filozofike, profesor dhe akademik. Jap mësim mbi sociologjinë e familjes, psikologjinë e teknologjive manipuluese, filozofinë e fesë, sociologjinë e turizmit dhe disa disiplina të specializuara.

Pyetja: Çfare ju shtyu t’i bashkoheshit luftimeve dhe a ka akademikë të tjerë si ju që luftojnë krah jush?

Ne ukrainasit nuk kishim alternativë, ose do të shkatërrohemi plotësisht ose do ta ndalim këtë turmë çnjerëzorësh. Shkova në luftë për të mbrojtur nënën time, gruan, fëmijët dhe Atdheun tim. Ka shumë mësues dhe studentë në front, por ne jemi të gjithë të barabartë këtu, jemi ushtarë.

Pyetja: Sa e vështirë është të jepni mësim kur bombat shpërthejnë pas shpinës tuaj, ka pasur ndonjë rast të ngjashëm?

Ka pasur disa raste të ngjashme, por unë kam qenë me fat. Me kalimin e një kohe u mësova me zhurmat dhe thjesht vazhdova të jepja leksione nga llogoret.

Pyetja: Sa të rregullta janë oraret e leksioneve, duke marrë parasysh se lufta sjell situata të papritura?

Natyrisht, ka ndryshime në orarin e mësimdhënies, megjithatë unë kam leksione çdo javë dhe nëse ndodh diçka e shtyj një leksion për ditën e nesërme, arrij marrëveshje me studentët e mi.

Pyetja: Cfarë mendojnë studentët për këtë mënyrë mësimdhënieje? A janë ata shumica në Ukrainë?

Studentët janë mësuar me të gjitha këto. Më parë kemi pasur dy vite leksione online për shkak të koronavirusit, prandaj nuk ka dalë asgjë e re për ta. Disa studentë me familjet e tyre janë bërë refugjatë dhe ndjekin leksione online, por shumica e tyre kanë mbetur në Ukrainë.

Pyetja: I druheni një sulmi bërthamor? Si është situata mes ukrainasve që ndodhen ende aty?

Çdo njeri normal në botë ka frikë nga lufta bërthamore dhe ukrainasit e dinë qartë se me çfarë lloj armiku po luftojnë. Prandaj, ne dhe e gjithë bota e qytetëruar kemi një detyrë të vetme : Të shkatërrojmë atë virus të rrezikshëm nën emrin Rusi, dhe ne po e bëjmë mirë këtë gjë deri tani.

Pyetja: Ke humbur miq në luftë, kolegë apo student të tutë?

Fatkeqësisht po! Kam humbur shumë miq të ngushtë dhe kolegë në luftë. Romina Braho/ abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!