EKSKLUZIVE/ Kina i ofron vaksina Shqipërisë, ambasada për Abcnews.al: Gati nëse na kërkojnë

schedule19:47 - 17 Mars, 2021

schedule 19:47 - 17 Mars, 2021

Nga Dylber Balla

Kina është gati që t’i ofrojë vaksina kundër koronavirusit Shqipërisë. Pak ditë më parë qeveria shqiptare përmes një vendimi i hapi rrugën negocimit edhe për vaksinën kineze “Sinopharm” dhe atë ruse “Sputnik V”. Abcnews.al kontaktoi me ambasadën në Shqipëri dhe u interesua nëse Kina është e gatshme për të ndihmuar Shqipërinë për të siguruar vaksina kundër COVID-19.

Ambasada kineze shprehu gatishmërinë duke theksuar se “rruga e komunikimit midis dy palëve për zhvillimin e bashkëpunimit mbi vaksinën është e hapur” nëse dëshiron pala shqiptare. Por në vijim të deklaratës, ambasada thekson se hyrja e vaksinës kineze në Shqipëri ka të bëjë me një sërë problemesh teknike, ndërsa shton se në qoftë se pala shqiptare ka interes mund të kontaktojë direkt me kompanitë përkatëse kineze, që është “Sinopharm”.

Përgjigja e ambasadës kineze për Abcnews.al

Kina mbeshtet me vendosmeri bashkëpunimin ndërkombëtar mbi vaksinën anti Covid-19. Kina dhe Shqipëria gëzojnë një miqësi tradicionale, rruga e komunikimit midis dy palëve për zhvillimin e bashkëpunimit mbi vaksinë është e hapur.

Hyrja e vaksinës kineze në Shqipëri ka të bëjë me një sërë problemeve teknike. Në qoftë se pala shqiptare ka interes për vaksinën kineze, mund të kontaktojë direkt me kompanitë përkatëse kineze, ambasada kineze është e gatshme të japë asistencë të nevojshme.

Gjithashtu jemi me kënaqësi të shohim që Shqipëria të sigurojë sasi të mjaftueshme të vaksinës nëpërmjet rrugëve të ndryshme, dhe kemi dëshirë për të ofruar mbështetje të nevojshme” deklaroi ambasada Kineze për Abcnews.al. Tashmë vendimi është në dorën e qeverisë shqiptare. Deri tani Shqipëria ka marrë vaksina nga “Pfizer” dhe “AstraZeneca”./ Abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!