EKSKLUZIVE/ Flet babai i shqiptarit që u plagos nga tërmeti në Greqi: Na ra si bombë, e shpëtuan shokët

schedule18:44 - 31 Tetor, 2020

schedule 18:44 - 31 Tetor, 2020

Nga Dylber Balla

Fëmija shqiptar Eriko Mane që u plagos nga tërmeti ditën e djeshme në Samos, ku ishte epiqendra, prej disa javësh jetonte vetëm në Greqi, pasi prindërit ishin kthyer në Fier për shkak të disa problemeve familjare. I ati i djalit, Lavdi Mane në një intervistë ekskluzive për Abcnews.al rrëfen si e mori lajmin dhe bisedat me telefon me djalin nga spitali në Athinë.

Ai tregon për Abcnews.al edhe momentin si arriti që të shpëtonte djali, pasi u shemb muri teksa po ecnin në rrugë në drejtim të stacionit të autobusit për t’u kthyer nga shkolla në shtëpi. Djali 14-vjeçar shqiptar u vizitua në spital mbrëmjen e djeshme edhe nga ministri grek i Shëndetësisë. Lavdi Mane shprehet se nesër në mëngjes do të nisen në drejtim të Greqisë.

Intervista e plotë për Abcnews.al
Zoti Lavdi, kush ua dha lajmin?
Më mori një greke, dhe më tha kështu ndodhi. E pabesueshme. Më pas na mori çupa.

Kur do të niseni për në Greqi?
Nesër në orën 06:00 do të nisemi. Ambasada na ndihmoi.

Po djali më kë ishte?
Janë motrat, gjithë farefisi. Po jetonte vetëm në shtëpi. Unë me gruan ishim në Shqipëri. Na ra si bombë.

Sa kohë kishit që erdhët në Shqipëri?
Erdhëm në datë 19 tetor, në datë 4 nëntor do të ktheheshim.

Me djalin keni biseduar?
Po kemi folur tre herë. Është në gjendje të lirë, ka disa fraktura.

Cfarë ju tha djali, si ndodhi?
Ishte duke u kthyer nga shkolla për të kapur autobusin. Ishin tre shokë. Ndodh lëkundja, grekët e shikojnë që i bien gurët, muri, dhe e tërheqin menjëherë, e shpëtojnë, pasi nëse nuk do ta kishin tërhequr do ta kishte zënë në mes.

Shokët?
Po, ata e shpëtuan.

Sa vite keni që jetoni në Greqi?
Po bëjmë 20 vite që jetojmë atje. Në Shqipëri tani erdhëm për shkak të disa problemeve që kemi.

Mbrëmë djalin e vizitoi edhe ministri grek i Shëndetësisë…
Djalin e kishin pritur shumë mirë. Ndihma e shpejtë, e paparë. Jam shumë i kënaqur.

Abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!