Ekskluzive/ Dëshmia e Shullazit në gjykatë ndaj Ylvi Beqjas. Shkresa sekrete që rrezikoi dëshmitarin e mbrojtur

schedule18:11 - 6 Maj, 2023

schedule 18:11 - 6 Maj, 2023

Dokumentari “Gjerat Tona” i gazetares Etleva Delia, publikon ekskluzivisht një pjesë të dëshmisë së dhënë në Gjykatë, nga i pandehuri Emiljano Shullazi.

Pretendimet e tij për provat e reja që kishte ndaj Ylvi Beqjas, dëshmitarit të mbrojtur që e denoncoi.

Po ashtu, publikon edhe një shkresë sekrete, ku shpjegohet se si Ylvi Beqja ka shkelur marrëveshjen, duke rrezikuar heqjen nga programi i mbrojtjes.

Biznesmeni Ylvi Beqja, dëshmitar i mbrojtur i drejtësisë për dosjen “Shullazi”, është një nga kallëzuesit për “gjobëvënie” të Emiljano Shullazit dhe të bashkëpandehurve të tij. Dëshmia e tij ishte vendimtare në procesin tek Krimet e Rënda që përfundoi me deklarimin e fajtor të të pandehure. Gjykata dha në total 55 vite burg për ta.

Ai ka dhënë deklarime edhe për një hetim të nisur ndaj Emiljano Shullazin nga Prokuroria e Tiranës për akuzën e “pastrimit të parave”. Beqja dha shpjegime në lidhje me dyshimet e ngritura për paligjshmëri të konsumuar gjatë regjistrimit të pronësisë së ish-hotel “Vollgës” në Durrës, një pjesë e të cilit i është kaluar Emiljano Shullazit apo për transaksione financiare të kryera për këtë qëllim.

Aktualisht kjo pronë është nën masën e sekuestros preventive. Por përveç dijenisë për veprimet të Shullazit, dëshmitari i mbrojtur Beqja ka dhënë deklarime edhe si person nën hetim, pasi emri i tij është pjesë e të njëjtit hetim për “pastrim parash” të nisur nga akuza e kryeqytetit.

Statusin e dëshmitarit të mbrojtur Beqja e përfitoi për dëshminë e dhënë kundër Shullazit, prova kryesore e prokurorisë në procesin ndaj tij dhe grupit tek Krimet e Rënda.

Emiljano Shullazi: “Po pse ne duam të rrimë në burg sipas teje!? Kërkoj fjalën.. (ndërhyn gjyqtarja që i jep fjalën Emiljano Shullazit). Prokurori citoi procesverbalin e datës 7, por ne mund të themi çfarë të duam. Ju penguam gjë ne që të mos vini në punë, ne detyrë? Në s’ju kemi pengu. Unë s’jam dakord me ju. Unë ta kam thënë edhe një herë dhe ta them edhe një herë, ta dëgjojnë edhe vëzhguesit që janë këtu. Kur ti jep dorëheqjen, ore kur jep gjyqtari dorëheqjen, se nuk mund të gjykoj unë, t’ja fus murit me kokë unë eee, kur gjyqtari thotë se s’mund të gjykoj? Kuptohet dorëheqja jote. Unë do të marr vendim, si do thuash ti, është i padrejtë? Është i pavërtetë Ylvi Beqja, kur ti në vendim konfiskimi kë thënë që e ke bllokuar këtë pronë se ia kam marrë me zor Ylvi Beqjas? Unë kam prova të reja që do i nxjerr para avokatit, si të mi prishësh ti mua ato prova? Se ti çfarë vendimi do marrësh, nuk ke si të marrësh, me datë 1 mora atë vendim, me datë 6 të marrësh vendim tjetër… Pastaj, ku u njoh me dosjen Gjykata? Më datë 6 more emërimin në apel, më datë 7 erdhe ke ne??”

Por dy vite më parë, më 24 nëntor të vitit 2021, kohë kur në Apel mbahej seanca për Shullazin dhe grupin e tij, Ylvi Beqja është kthyer në Shqipëri, duke kryer veprime që rrezikuan heqjen e statusit të dëshmitarit të drejtësisë.

Me një shkresë që drejtori i asaj kohë, Idajet Faskaj, i niste ish-kryeprokurorit të SPAK Arben Kraja, dhe ish-drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, Gledis Nano, paraqiste një informacion mbi problematikën e programit të mbrojtjes për Ylvi Beqjan.

Shkresa

Masat e mbrojtjes ndiqen në zbatim të vendimit Nr.21, datë 7 nëntor 2016 të Komisionit për Vlerësimin e Masave të Mbrojtjes së Dëshmitarëve dhe Bashkëpuntorëve të Drejtësisë për shtetasin, Ylvi Beqja, me status “bashkëpuntor i drejtësisë” dhe familjen e tij.

Në zbatim të këtij vendimi, është përpiluar Marrëveshja e Mbrojtjes me shtetasit e lartpërmendur, të cilët pasi janë njohur me kushtet, kufizimet dhe masat që do merren, e kanë pranuar dhe firmosur atë.  Aktualisht janë në program mbrojtje 8  persona të kësaj familje.

Nisur nga rëndësia e këtij dëshmitari, rrezikut serioz që paraqiste grupi kriminal për të cilin ky person bashkëpunoi me drejtësinë, nga ana e Drejtorisë janë marrë në mënyrë serioze dhe konsistente të gjitha masat e duhura, si dhe janë ndjekur procedurat e parashikuara në ligj.

Pas komunikimeve të vazhdueshme të Drejtorisë për të gjetur një mundësi zhvendosje të programit të mbrojtjes, u dakortësua me shtetin X, për një zhvendosje të përkohëshm deri në finalizimin e saj në një shtet tjetër, me të cilin kishin filluar negociatat.

Programi i mbrojtes u zhvendos përkohësisht në shtetin X , në muajin shkurt të vitit 2019 dhe pas përfundimit të marrëveshjes me shtetin “Y” dhe arritjes së kushteve dhe rrethanave të favorshme, u bë zhvendosja e tyre më 20 shtator 2021 në shtetrin “Y” ku ndodhen aktualisht.

Gjatë periudhës së qëndrimit në vendin tonë, personi i mbrojtur ka kryer shkelje të vazhdueshme dhe në mënyrë të përsëritur, të cilat binin ndesh me marrëveshjen e mbrojtjes e firmosur nga ai personalisht dhe titullarit.

Shkeljet e personit në program mbrojtje, i janë bërë me dije atij si dhe Komisionit të Vlerësimit të Masave Mbrojtëse, gjithashu dhe Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit.

Në shkresë bie në sy diçka shumë e rëndësishme. Aty theksohet se që nga periudha e përfshirë në Program Mbrojtje , Nëntor 2016 –Nëntor 2021, shpenzimet direkte për këtë program janë në vlerën rreth 839 mijë Euro ose 60% e buxhetit të shpenzuar për 65 personat e përfshirë në Program mbrojtje për këtë periudhë 4 – vjeçare.

Përfshirja në programin e mbrojtjes, siç e pamë ka një kosto mjaft të lartë financiare. Por siç shihet edhe në rastin e fundit, eksizton mundësia që pavarësisht të gjithave të ketë edhe kosto të tjera.

Disa dëshmitarë dekonspirohen nga vetë strukturat shtetërore, e disa të tjerë e dekonspirojnë veten duke zgjedhur të mos binden. Pasojat në të dy rastet mund të jenë fatale. Për çdo dëshmi ka një kosto që e përballon shteti. E pavarësisht kësaj kostoje, ky program është vlerësuar si i suksesshëm duke garantuar vazhdimësinë dhe zgjerimin e tij.

Duket se lufta me krimin do të jetë një ndeshje pa fund, me dhe pa rregulla. Do të sulmohet nga të gjitha anët. Por me rëdësi do të jetë që inciativa për ta moshtur të jetë në krahun e të drejtës. Qoftë edhe me ndihmën e bashkëpunëtorëve e dëshmitarëve që kushtojnë qindra mijëra euro./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!