Nga Aldo Kozarja
ABC ka shkuar në fshatin Spille në familjen e 49 vjeçares Lume Spanishi. Lumja në vitin 1994 solli në jetë dy djem, dy binjakë në maternitetin Mbretëresha Xheraldinë. Fillimisht stafi i mjekëve i tha se ka sjellë në jetë dy binjakë. Më pas një pjesëtar i stafit i tha se një prej fëmijëve kishte probleme. E më pas i dhanë një tjetër version, se nuk ishin dy djem, por një djalë dhe një vajzë. Por në fund, gruaja doli nga materniteti me një djalë të gjallë dhe një tjetër të vdekur. Lume Spanishi është e bindur se në 28 nëntor 1994 ka lindur dy djem binjake.
“ Kur shkova pas dy ditësh ti shoh tek spitali tek stadium i pashë dy binjakë ja tregova dhe motrës sime dhe dajës tim. Shkoj më vonë në darkë i thashë një infermiereje, ti shihja dy binjakët. Më tha jo s’ke dy binjakë ke një çun një gocë”.
Ajo pretendon se donte të fliste me një prej mjekeve, por e shmangën. Kur shkoi sërish të ushqente me gji fëmijët nga një mami mësoi se një gruaje tjetër i kishte vdekur foshnja.
“U ngjita lart më thanë hiq pak nr e dorës se i ka vdekur fëmija kësaj mbrëmë. Nuk e heq I thashë pa folur me drejtorin e spitalit”.
Lumja kërkoi të fliste dhe me mjekun që asistoi në lindje, por ai nuk e priti. Rrëfen se u detyrua t’i kërkonte llogari drejtorit.
“ I rashë derës së drejtorit me këmbë, jo me dorë. I thashë ku e kam fëmijën, më gjeni fëmijën. Atë moment drejtori tha shkarkim nga puna këta. E kapa doktorin nga rrobat i thashë cohu mos më ik ti më ke ndërruar fëmijën ku ma ke cuar”.
Pas debateve nëpër korridoret e maternitetit, 49 vjeçarja më pas u përball me një tjetër komunikim që i shtoi më tej dyshimet.
“Po e njëjta infermiere që më tha ke djalë e vajzë më pas më thanë se ndërroi jetën djali. E hoqën vajzën e më tha djali ka vdekur”.
Pretendon që mjekët i dhanë fëmijën e saj bashkëshortit të zonjës që lindi foshnjë të vdekur. Ishte vjehërri që çoi në banesë trupin e pajetë të djalit. Gjyshja thotë se binjakët nuk ngjanin.
“E solli fëmijën e vdekur burri im e lava e shplava dhe e cuam në varrezë. Fëmija që ka kjo sot është esmer, ai ishte I bardhë nuk ngjante me këtë”.
Ishte vetëm 22 vjeç dhe nuk e mbështeti askush. Ndaj nuk ju drejtua as organeve të drejtësisë. Sot Lumja ka mbështetjen e djalit tjetër, Altinit që ka emigruar në Itali ndaj thotë se është e gatshme të bëjë kallëzim në prokurori.