EKSKLUZIVE/ “Çlirohen” Shqipëria dhe Maqedonia? Ministri francez për ABC: Sinjale pozitive për zhbllokimin e vetos bullgare

schedule15:52 - 22 Mars, 2022

schedule 15:52 - 22 Mars, 2022

Nga Erisa Zykaj-Bruksel

Në konferencën për shtyp të zhvilluar pas takimit të 27 ministrave të çështjeve europiane në Bruksel, ministri francez për çështjet europiane, Clément Beaune i është përgjigjur pyetjes së ABC lidhur me anonçimin e bërë dje në Parlamentin Europian nga ministri i punëve të jashtme të Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, sipas të cilit, Bullgaria dhe Maqedonia e Veriut janë shumë afër gjetjes së një marrëveshjeje, që do të zhbllokonte ngërçin e krijuar për shkak të çështjeve bilaterale në nivelin historik, kulturor dhe gjyhësor.

“Duke u nisur nga ky evolucion, a do të hapen negociatat e anëtarësimit me Maqedoninê e Veriut dhe Shqipërinë gjatë presidencês franceze ?”, është pyetja që ABC i ka drejtuar ministrit francez.

Ministri Baune është përgjigjur si vijon:

Është e vërtetë që ka eko dhe sinjale pozitive mbi diskutimet lidhur me çështjet bilaterale që janë diskutuar dhe po diskutohen midis Bulllgarisë dhe Maqedonisë së Veriut. Kam qenë në vizitë në Bullgari në fillim të presidencës franceze, menjëherë pas konfirmimit të qeverisë së re në Bullgari. Kam qenë në kontakt edhe kohët e fundit me autoriteet bullgare dhe me kryeministrin e Bullgarisë Petkov.

Ka një angazhim shumë serioz, si nga Shkupi dhe nga Sofia për të gjetur njê zgjidhje mbi çështjet bilaterale që kanë shkaktuar pengesë. Nuk mund të paragjykoj procesin, por konfirmoj këto sinjale pozitive. Nëse këto përpjekje kurorëzohen në javët që vijnë, atëherë do t’i takojë presidencës franceze, që të vijojë me etapat e ardhshme. Shpresojmë që të ndodhë kështu. Por nuk mund t’ju them sot, që ne mund të fillojmë negociatat e anëtarësimit.

Rikujtoj procedurën e unanimitetit në fuqi në këtë rast. Metodologjia e re e zgjerimit e dëshiruar nga Franca është aprovuar. Të gjitha shtetet anëtare kanë dhënë aprovimin e tyre, me përjashtim të Bullgarisë. Ne jemi duke avancuar dhe shpresojmë të kapërcejmë këtë ngërç, që do të mundësojë fillimin e një procesi. Sot është tepër herët për të folur për një kalendar preciz“.

Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut janë bashkë në procesin integrues në BE. Në rast të heqjes së vetos nga Bullgaria për Maqedoninë, atëherë mund të vijohet me procesin integrues të të dy shteteve në Bashkimin Europian.

BE është nën presion aktualisht për të lehtësuar procedurat e integrimit për shtetet e Ballkanit Perëndimor për shkak të rrezikut që paraqet Rusia në destabilizimin e rajonit. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!