EKSKLUZIVE/ Atentati në Tushemisht, Gjykata jep “arrest me burg” për autorët, por për një vepër tjetër penale

schedule20:26 - 16 Gusht, 2020

schedule 20:26 - 16 Gusht, 2020

Gjykata e Pogradecit ka shpallur moskompetencën territoriale në lidhje me kërkesën e prokurorisë për të caktuar masë sigurie ndaj Meardi Berberit dhe dy të arrestuarve të tjerë në Tiranë, Ervin Kalaja dhe Anterio Kaloshi.

Prokuroria e Pogradecit i kërkoi Gjykatës, të vendosë masë sigurie “arrest me burg” për të tre të ndaluarit, të cilëve ju sekuestrua arsenal armësh në një garazh në Tiranë.

Por “mbrojtja” i kërkoi togave të zeza të shpallte moskompetencën për të caktuar “masë sigurie”, pasi të tre të dyshuarit u ndaluan në Tiranë, dhe jo në Pogradec.

Ndërkohë Gjykata pranoi kërkesën e mbrojtjes, duke shpallur moskompetencën territoriale për gjykim dhe caktoi ndaj tre të ndaluarve masën e sigurisë “arrest me burg”.

Gjykata e Pogradecit ja delegoi aktet  Gjykatës së Tiranës, e cila është kompetente për të gjykuar akuzat e “armëmbajtjes pa leje” dhe “mbajtjes pa leje të armëve të ftohta” për tre të arrestuarit disa ditë më parë nga policia e Tiranës.

Abcnews.al ka siguruar dosjen e prokurorisë për tre të arrestuarit.

Për të tre është dhënë masa e sigurisë “arrest me burg” nën akuzën e “armëmbajtjes pa leje”, por jo në lidhje me ngjarjen në Tushemisht edhe pse Drejtori i Policisë së Korçës në komunikimin  e tij për mediat njoftoi se ndaj Anterio Kaloshit, “Gjykata e Rrethit Gjyqësor Lushnjë ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Vrasja në rrethana cilësuese” kryer në bashkëpunim, mbetur në tentativë, “Armëmbajtja pa leje” dhe “Prishja e qetësisë publike” në lidhje me ngjarjen e ndodhur më datë 11.10.2017, në lagjen “Loni Dhano” Lushnjë, ku dyshohet se Kaloshi, në bashkëpunim me shtetas të tjerë, kanë vrarë me armë zjarri tip automatik shtetasit Z. L., dhe J. H., si edhe kanë plagosur shtetasit M. Xh. dhe B. T”.

 

LEXO edhe: Terrori në Drilon, arrestime të tjera, policia jep detaje

Siç raporton gazetarja Ledjona Xheladinaj për abcnews.al, në proces verbalin e mbajtur nga policia, Anterio Kaloshit i është gjetur një dokument me stemën e policisë ku ky i fundit lëvizte si Bledar Bodelli, një pasaportë biometrike me emrin Edison Deliaj, dokumente për të cilat prokuroria thotë se janë të falsifikuara.

“Gjithashtu shtetasit Anterio Kaloshi iu gjet edhe një dokument identifikues me stemën e policisë, me emrin Bledar Bodelli, një pasaportë biometrike me emrin Edison Deliaj dhe një dokument në gjuhën greke  të cilat dyshohen se janë të falsifikuara”, shkruan prokuroria.

Anterio Kaloshi, 29-vjeçari nga Lushnja, i cilësuar nga Policia si ekzekutori i dy ngjarjeve në Tushemisht, ku iu bë atentat një hoteli me qëllim për të vrarë djalin e pronarit të tij, është shoku i Orgest Bilbilit.

LEXO edhe: Atentati në Tushemisht, sekuestrohen armët e përdorura nga autorët

Kaloshi u kap gjatë pasdites së të enjtes, 13 gusht, në një aksion të organizuar për zbardhjen e plotë të sulmit me armë në Tushemisht.

Ai u ndalua në afërsi të Qesarakës brenda një automjeti të dyshimtë që po mbahej në vëzhgim nga Policia.

Anterio Kaloshi ka qenë në makinë bashkë me Meardi Berberin, i cili dyshohet të jetë organizatori i atentatit të ndodhur në hotel “Voloreka” mëngjesin e 8 gushtit, në Tushemisht të Pogradecit.

Kaloshi, shoku i Orges Bilbilit, ishte në kërkim për masakrën e 2017-ës në Lushnje.

Por si i shpëtoi Policisë në prill, shoku i Bilbilit?

Anterio Kaloshi i shpëtoi Policisë së Tiranës mesditën e 10 prillit, ku në pranga ra Orgest Bilbili gjatë një kontrolli rutinë nga policia në kuadër të respektimit të orarit të karantinës së vendosur nga qeveria për shkak të epidemisë në vend.

Të dy këta persona ishin duke lëvizur në këmbë në periudhën e izolimit total të vendit, pa “Leje për dalje”.

Një efektiv Policie vuri re lëvizje të dyshimta të Bilbilit, i cili po lëvizte me kapuç dhe iu afrua për ta kontrolluar, por në momentin që i bëri thirrje ai u largua me shpejtësi.

Polici e ndoqi dhe më pas e qëlloi me plumb në këmbë për ta neutralizuar, duke bërë më pas të mundur edhe arrestimin e tij.

Kaloshi, i cili jetonte në një apartament me Bilbilin, arriti t’ia mbathë.

Anterio Kaloshi ishte shpallur në kërkim për masakrën e ndodhur në Lushnjë në vitin 2017.

Në ngjarjen e tre viteve më parë u ekzekutuan me armë Zamir Latifi e Jurgen Hoxha, si dhe u plagos Marius Xhepexhiu./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!