TIRANË – Prokuroria e Posaçme ka nisur verifikimet pas denoncimit se 24 kompani kanë kryer 189 milion dollar evazion fiskal të lidhura me inceneratorët. Gazetari Ermal Vija, raporton se SPAK ka nën hetim inceneratorin e Tiranës por pas denoncimit të ri të ardhur nga kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi ditën e djeshme, SPAK ka konfirmuar për ABC se ka nisur verifikimet në lidhje me këto 24 kompani.
Lëvizja Socialiste për Integrim do t’i paraqesë të tjera prova SPAK-ut për çështjen e Inceneratorëve. Monika Kryemadhi denoncoi 24 kompani të cilat në funksion të kompanisë së inceneratorit të Tiranës bëjnë evazion fiskal miliona euro përmes faturave fiktive. Kryemadhi denoncoi një prej kompanive që në librat e shitjes faturonte fruta teksa në librin e shitjes faturonte hekur dhe beton.
Për të humbur gjurmët sipas kryemadhit këto kompani shiteshin tek persona që nuk kishin lidhje me to. Një kompani me vlerë 6 milionë dollar ju shit një kamarieri.
Po ku janë paratë e fituara nga këto kompani?
Në Sharrë kompania fituese e inceneratorit ende nuk ka vendosur asnjë pajisje, por nga ana tjetër ajo ka përfunduar ndërtimin e një sere ku kultivohen domate.
Për kryetaren e LSI e gjithë skema është bërë me bekimin e kryeministrit, ndërsa nga ana tjetër foli edhe për përfitime nga Partia Demokratike e drejtuar nga Lulzim Basha. Të gjithë dosja për këto kompani pritet që LSI ta paraqesë në SPAK, ku sipas kryemadhit e vetmja gjë që duhet të bëjnë prokurorët duhet të jetë verifikimi fakteve.
Kryetarja e LSI tregoi rastin kur një çift të moshuarish, që sipas saj janë 94 dhe 95 vjeç, kanë blerë një biznes 30 milionë dollarë. Bëhet fjalë pikërisht për dy të moshuarit në foto, me emrat Thanas Çani dhe Haxhire Gurakuqi, të cilët rezultojnë me pasuri marramendëse.
“I gjithë sistemi ka funksionuar me një mbikëqyrje perfekte nga kryeministri. Nëse do kishim hetim tatimor që do hetonte do shikonte që frutat ekzotike janë shndërruar në asfalt. Të gjithë materialin ia kemi bërë gati prokurorisë së posaçme. Për të 24 kompanitë do të informojmë prokurorinë në mënyrë që ata të mos bëjnë asgjë tejtër, por vetëm të verifikojnë. Të verifikojnë edhe këta 94-95 vjeçarët që kanë blerë biznese 30 milionë dollarë”, tha Kryemadhi.
Përfitues të inceneratorëve, Kryemadhi akuzoi se janë edhe njerëz të PD-së së Lulzim Bashës.
/abcnews.al/