LEZHË- Nga shifrat dhe llogaritë fikse, Gerald Totraku, ekonomisti nga Lezha, gjeti rrugën e tij tek artizanati. Pas një përvoje në marketing dhe shitje, ai iu kushtua punimit të drurit duke përdorur natyrën dhe atë që deti sjell në breg si lëndë të parë.
Studioja e tij është bregdeti i Kunës në Shëngjin, një vend që e lidh edhe më shumë me natyrën dhe ku merr frymëzimin për krijimet e tij.
Shkolla dhe profesioni i ekonomistit i dhanë mundësinë të udhëtojë dhe të njohë vende të ndryshme, por sidomos ta kuptojë dhe ta dashurojë më shumë natyrën. Kjo lidhje e hershme me natyrën, thotë ai, ishte gjithnjë aty, vetëm sa u bë më e dukshme me kalimin e kohës.
Edhe sot në veprën e tij përdor konceptin e ekonomisë: procesi natyral që ndjek druri është më i thjeshtë dhe më efikas se çdo ndërhyrje artificiale. Për Geraldin, lidhja mes ekonomisë dhe artizanatit është e fortë. Ai ndjek raportet e bukurisë dhe estetikës, që sipas tij janë raporte numerike, të lidhura ngushtë me profesionin e tij.
Në atë që ka nisur, Geraldi sheh një rrugë të gjatë.
Shumë janë surprizuar nga ky ndryshim, por ai beson se pasioni i tij është edhe trashëgimi pasi edhe gjyshi i tij është marrë me të njëjtën gjë. Punimet e para i bëri gjithmonë në prani të të tjerëve, duke identifikuar forma që ngjallnin kureshtje dhe interes.
Krijimtaria për të është një mënyrë për të gjetur më shumë veten.
Për të ardhmen, Geraldi shprehet se nuk e sheh artizanatin thjesht si punë, por si pasion që kthehet në vlerë materiale vetëm duke treguar se çfarë di të bësh. Sot Gerald Totraku ka hapur ekspozitën e tij të parë, ndërsa vazhdon të krijojë, duke gërshetuar pasionin me jetesën dhe duke sjellë një mënyrë unike për të parë natyrën e për ta kthyer atë në art/abcnews.al

