Vlerësimi B+ i ekonomisë shqiptare është një tregues i ecurisë pozitive i nxitur nga turizmi ,rritja e investimeve si dhe inflacioni në ulje.
Ministri i financave Ervin Mete tha se ky rishikim, pas gati shtatë vitesh, është një hap në drejtim të grupit të vendeve që konsiderohen me financa publike më të forta. ‘Standart and Poor” jep një vlerësim që mund të ndikojë në koston apo interesat e vendit në huamarrje si dhe në rritjen e besueshmërisë së investitoreve të huaj.
“Rritja ekonomike ka ngelur e qëndrueshme dhe e lartë në 45 në terma vjetore, pavarësisht vështirësive të ekonomisë botërore. Inflacioni u rikthye në trend ulës duke arritur në 4 % në gusht, ndërsa papunësia ka arritur nivelin më të ulët në 10.7 % në fund të tremujorit të dytë dhe pjessmarrja në tregun e punës. Investimet e huaja janë rritur ndjeshëm duke arritur në 700 milionë euro në gjashtëmujorin e parë të 2023 ndërkohë që turizmi ka pasur një zgjerim të jashtëzakonshëm që kërkon një përpjekje të madhe”, ka thënë ai.
Por pavarësisht këtij vlerësimi ministri i financave theksoi se tashmë është e rëndësishme që të vijojnë reformat ekonomike
“Nuk duhet që të harrojmë se vlerësimi mund të ndryshoje në varësi të situatës ekonomike, ndaj përpjekjet për reformat mbeten thelbësore”, është shprehur Mete.
Agjencitë e vlerësimit pasi mbledhin dhe analizojnë informacione për të dhënat ekonomike – PBB, inflacionin, politikat fiskale dhe monetare, stabilitetin politik dhe faktorë të tjerë institucionalë të rëndësishëm, – gjykojnë më pas se si vendi menaxhon financat e tij, nëse ka një qëndrueshmëri institucionale, si edhe ecurinë e ekonomisë dhe reformave. /abcnews.al