Pavarësisht shtrenjtimit të naftës si pasojë e konfliktit në Lindjen e Mesme vlerësimet për ecurinë e ekonomisë shqiptare mbete optimiste. Agjencia e vlerësimit të kreditit “Standard & Poor’s Global Ratings”, , ka rikonfirmuar vlerësimin afatgjatë të kreditit sovran të Shqipërisë në “BB”, duke ruajtur gjithashtu një perspektivë “të qëndrueshme”. Ky vlerësim konfirmon vlerësimin e vazhdueshëm të agjencisë në stabilitetin makroekonomik të Shqipërisë.
S&P vlerëson se ekonomia shqiptare ka treguar qëndrueshmëri ndaj goditjeve të njëpasnjëshme në vitet e fundit, duke përfshirë tërmetin e vitit 2019, pandeminë COVID-19 dhe krizën e çmimeve të energjisë.
Në raport vlerësohet se Shqipëria do të ketë një rritje të PBB-së prej 3.7% për vitin 2025 dhe mbi 3% për periudhën 2027-2029.
Një ndër sektorët me kontributin më të fortë do të mbetet Turizmi që ka forcuar strukturalisht pozicionin e jashtëm të Shqipërisë, duke ndihmuar në ngushtimin e deficitit të llogarisë korrente në shifra të ulëta njëshifrore.
Në aspektin e financave publike, agjencia parashikon që deficitet të jenë mesatarisht rreth 2% të PBB-së deri në vitin 2029 dhe borxhin publik të stabilizohet pranë 50% të PBB-së. Kjo qasje e matur fiskale do të sigurojë stabilitetin e vazhdueshëm të financave publike.
Një zhvillim pozitiv i theksuar nga S&P është progresi i procesit të anëtarësimit të Shqipërisë në BE.
Rezervat valutore të Shqipërisë janë forcuar ndjeshëm, duke u rritur në 8.7 miliardë dollarë në Janar 2026, me një rritje prej rreth 33% krahasuar me vitin e kaluar, të mbështetura nga flukset e forta nga turizmi, remitancat dhe investimet e huaja direkte.
Konfirmim i vlerësimit nga S&P është një tregues i qartë i progresit të vazhdueshëm të Shqipërisë dhe një sinjal pozitiv për investitorët ndërkombëtarë, gjë që reflekton qëndrueshmërinë e fortë ekonomike të vendit dhe menaxhimin më efektiv të politikave.
Më herët edhe Moody’s vlerësoi ekonominë shqiptare si të qëndrueshme.


