Ekonomia, rritje optimiste në 2024/ Nunaj: Ky nivel rritje tregon qëndrueshmëri, udhëheqin ndërtimi e turizmi

schedule14:28 - 27 Mars, 2025

schedule 14:28 - 27 Mars, 2025

Ekonomia shqiptare ka pasur një rritje pozitive përgjatë vitit 2024. Të dhënat e publikuara kanë konfirmuar se rritja ekonomike gjatë vitit të kaluar ka qenë rreth 4%.

Ka rezultuar se sektorët që kanë mbajtur peshën kryesore në ecurinë e ekonomisë janë të lidhura direkt me turizmin si dhe pasuritë e paluajtshme.

Në një intervistë në “Money Report” në ABC News, ekspertja e ekonomisë, Teuta Nunaj u shpreh se rritja ekonomike për 2024 është optimiste, duke nënvizuar se ky nivel rritje tregon edhe qëndrueshmëri.

“Në nivel makro kjo ekonomi është e qëndrueshme dhe jep një perspektivë më të qëndrueshme. Ndërsa nëse flasim në mikro, nuk është edhe një lajm shumë i mirë. Pasi një ekonomi duhet të sjellë të ardhura më të larta në familje”, tha ajo.

Gjithashtu nënvizoi se sektori i ndërtimit ka një ndikim të qëndrueshëm në ekonominë shqiptare, duke shtuar se po ashtu turizmi ka pasur një mbështetje të qëndrueshme dhe një rritje me efekte të ndjeshme.

Më tej theksoi se nisma për formalizim në turizëm ndihmon ekonominë.

“Por tek pjesa e turizmit është një sektor që ka pasur një mbështetje të qëndrueshme, ka një rritje dhe efektet janë të ndjeshme, por nuk janë ende të plota. Pasi kemi nivel të lartë sa i përket informalitetit në këtë sektor. Një formalizim ndihmon edhe vetë palët, pasi fiton biznesi, edhe qytetarët që duke qenë të punësuar, njihet edhe vjetërsia e punës”, tha ekspertja e ekonomisë.

Sa i përket sektorit të bujqësisë, Nunaj shpjegoi se do të duhet të ketë më shumë mbështetje.

Më tej Nunaj u shpreh: “Ka një lexim të mirë të situatës ekonomike. Banka ka marrë një vendim për të ruajtur ë njëjtit nivel të normave të interesit si pasojë e qëndrueshmërisë ekonomike dhe si pasojë e normës së inflacionit”.

/abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!