Eksperti i Ekonomisë, Arben Malaj thekson se indekset ndërkombëtare që skanojnë ekonominë shqiptare tregojnë situatën e vërtetë ku ndodhet vendi i cili po braktiset, ku investimet janë ndalur dhe po shtohen pasiguritë. Sipas Malajt kjo situatë është krijuar si pasojë e keqqeverisjes dhe e krizës politike.
“Duhet parë, a janë të gatshëm të bëjnë ndryshime cilësore, të ndahen nga koncepti për qeverisje absolute, të pastrojnë administratën nga të korruptuarit dhe të inkriminuarit. Të vjen turp që sot Shqipëria mund të jetë i vetmi vend në botë që çdo ditë del një i inkriminuar nga mazhoranca që ka marrë mandat politik”, u shpreh Arben Malaj. Sipas tij, situata e krijuar ka të bëjë me këndvështrimin e lidershipit politik.
Problemin ai sheh gjithashtu tek administrata e politizuar dhe jo-efiçente. Malaj sugjeron pastrimin e administratës nga militantët dhe personat që kanë abuzuar me pushtetin duke vjedhur milliona euro. Dhe shpresa sipas tij qëndron tek institucionet e reja të drejtësisë.
“SPAK duhet të angazhohet që të gjithë ata që kanë abuzuar me pushtetin, që kanë krijuar miliarda borxhe nga keqqeverja dhe nga shërbimi ndaj oligarkëve të ndalet njëherë e mirë”, thekson Arben Malaj.
Ndërsa përsa i përket thithjes së investimeve sugjerohet që të bëhet më shumë transparencë në përzgjedhjen e kompanive që vijnë në Shqipëri.
Në bazë të raporteve të fundit Shqipëria ka humbur 3 vende në indeksin e demokracisë të publikuar nga The Economist dhe 7 vende në Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit e publikuar nga Organizata ndërkombëtare Transparency International./abcnews.al