Ekonomia pëson rritje gjatë 2023/ Eksperti: Priten shifra më pozitive në muajt e ardhshëm

schedule14:34 - 3 Korrik, 2023

schedule 14:34 - 3 Korrik, 2023

Ecuria ekonomike në Shqipëri ka qenë pozitive në muajt e parë të vitit. Sipas INSTAT, në periudhën Janar –Mars rritja vlerësohet me 2,72%. Pavarësisht se në krahasim me një vit më parë ecuria është ngadalësuar mbetet në një linjë me parashikimet e institucioneve ndërkombëtare si FMN dhe Banka Botërore.

Eksperti për çështjet ekonomike, Mateo Spaho, në një lidhje live për emisionin “Sheshi i Dollarit” me gazetaren Genta Dobra tha se 2.72 % është një shifër e mirë duke marrë parasysh faktin se vendet më të rëndësishme të Bashkimit Evropian, të cilat rrezikojnë recesion ose zero përqind të rritjes ekonomike.

“Rritja ekonomike e Shqipërisë nuk është e keqe sidomos nëse marrim parasysh faktin se vendet më të rëndësishme të BE, në këtë vit rrezikojnë recesion ekonomike dhe të rritesh me 2 ose 3 përqind nuk është element negativ por një mundësi që vendi mund të ecë përkohësisht edhe vetëm.“, tha ai.

Sipas ekspertit, kontribut në rritjen ekonomike ka dhënë sektori i ndërtimit. Ai shtoi se sektori i industrisë dhe eksportit do të ‘vuajnë’ më shumë nga situata ekonomike e vendeve evropiane.

“Nga pikëpamja e sezonalitetit, në sezonin e verës kemi rritje të disponibilitetit ekonomik që vijnë nga jashtë për shkak të turizmit që gjë nuk pritet një ulje e inflacionit. Do të vijojë të vuajë sektori i industrisë dhe eksporteve sepse më shumë se 80 përqind e eksporteve janë drejtuar drejt BE-së dhe nëse këto vende presin një recesion ekonomik nuk do të ketë shumë shpresë për eksportet tona. Por ka një lajm të mirë dhe është që Itali, Greqia dhe vendet e Mesdheut duket se janë më pak të prekura nga kriza evropiane dhe eksportet kanë disa shpresa. Do të kemi ngadalësim të sistemit industrial por nuk pres një recesion.”, shtoi eksperti.

Spaho shtoi gjithashtu se turizmi dhe shifrat e mira që vijnë prej këtij sektori pritet ta ndihmojnë më shumë rritjen ekonomike.

“Mund të themi se hyrjet e turistëve në Shqipëri deri në këto muaj i afrohen hyrjes së tyre deri në të gjithë vitin. Presim rritje të hyrje dhe daljeve nga Shqipëria, kjo gjë do ta ndihmojë rritjen ekonomike, nivelin e konsumit, do të sjellë në mënyrë më të përshpejtuar valutë të huaj, sidomos euros dhe një rritje ekonomike që të shkoje deri në 3.5 përqind nuk është e pamundur nëse nuk do të kemi ngjarje të paparashikuara. Në një situatë normale një rritje deri në 3.5 përqind është e imagjinueshme aq më shumë kur sektori i ndërtimit është më aktiv. Besoj se edhe aktivitetet industriale janë rikthyer në një lloj normaliteti dhe në këtë aspekt një rritje deri në 3 deri në 3.5 përqind është e pritur.”, shtoi eksperti./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!