Perspektiva e Shqipërisë nga e qëndrueshme shkon në pozitive. Kjo sipas agjencisë ndërkombëtare Standard and Poor e cila gjithashtu ka rikonfirmuar vlerësimin e vendit në B+.
Perspektiva pozitive pasqyron pikëpamjen e Standard and Poor se parametrat fiskale të vendit do të vijonë të përmirësohen nëpërmjet përpjekeve të qeverisë për të konsoliduar financat publike.
Në kushtet kur ekonomia globale rimëkëmbet dhe turizmi në Shqipëri vijon të zgjerohet agjencia ndërkombëtare parashikon përmirësim më shumë se çpritej dhe të treguesve të jashtëm të vendit.
Rritja ekonomike pritet të marrë shpejtësi pas 2023 pas një moderimi të saj në 3% këtë vit kryesisht për shkak të kërkesës së huaj më të ulët nga Europa.
Pavarësisht goditjeve që ka marrë Shqipëria vitet e fundit përfshirë tërmetin e 2019 –ës sipas Standard and Poor qeveria ka bërë përpjekje të forta për të konsoliduar financat publike.
Si rezultat, agjencia pret që defiçiti buxhetor të konvergojë në rreth 2% të PBB deri në vitin 2026 dhe borxhi publik të reduktohet në 58.3% në 2026 nga 64.5% që rezultoi në 2022.
Megjithatë, agjencia vëren se konsolidimi fiskal do të varet edhe nga rimëkëmbja e qëndrueshme e rritjes ekonomike dhe vijimësia e reformave strukturore.
Standard and Poor vëren gjithshtu se inflacioni ka rënë në 4% në gusht nga 7.2% që rezultonte në janar. Inflacioni për vitin 2023 parashikon agjencia ndërkombëtare do të jetë mesatarisht 4.7% dhe në sajë edhe të forcimit të lekut do të bjerë gradualisht në nivelin e targetuar prej 3%.
Standard and Poor beson githahtu se vendi është i mirëpozicionuar për të përparuar në ofertën e tij për anëtarësim në BE, pa pengesa të mëdha të jashtme./abcnews.al