Ekonomia parashikohet me rritje/ Spaho: Efekt pozitiv kanë dhënë turizmi dhe sektori i ndërtimit

schedule14:33 - 10 Tetor, 2023

schedule 14:33 - 10 Tetor, 2023

Fondi Monetar Ndërkombëtar ka rritur ndjeshëm projeksionet për ecurinë e ekonomisë shqiptare. Në vlerësimin e vjeshtës, ky institucion e ka çuar në 3.6% parashikimin për rritjen ekonomike nga 2.2% që ishte më parë. Lidhur me këtë raport të fundit, u diskutua sot në “Money Report” me Genta Dobra.

Eksperti për çështjet ekonomike, Mateo Spaho theksoi  se në këtë parashikim pozitiv ka ndikuar turizmi, pasi këtë vit, sidomos gjatë sezonit veror, ka pasur një numër të lartë të turistëve të huaj në Shqipëri. Një faktor tjetër që ka ndikuar sipas ekspertit është edhe sektori i ndërtimit.

“Po, në fakt që nga janari deri më sot kemi pasur dy zhvillime pozitive, hyrja dhe dalja e shumë qytetarëve të huaj në masën 30 deri në 50 përqind. Pra është një zbulim i turizmit dhe dy, arritja e ndikimit në mënyrë indirekte për biznes dhe elementet e tjera që lidhen me politikën që lihen me një përqasje, ku Shqipëria është përfshirë më shumë në raport me partnerët ndërkombëtarë dhe kjo do të thotë më shumë të ardhura dhe rritje ekonomike. Por është edhe sektori i ndërtimit, pasi lejet kanë qenë të shumta. Këto dy sektorë janë të lidhur sepse ndërtimi nuk është vetëm për apartamente por edhe për hotele, resorte. Tregon një lloj bashkëpunimi të ndërsjellë mes turizmit dhe ndërtimit. Këto dy efekte janë pozitive, dhe pritet që rritja ekonomike pritet të kalojë 3 për qind gjë që është mjaft pozitive dhe tendencialisht unikale për sa i përket vendeve të rajonit sepse nuk ka shumë vende të tjera që parashikohet të kenë një rritje ndjeshëm më të lartë nga çfarë është parashikuar dhe Shqipëria bën pjesë për këto arsye që ne thamë.” theksoi Spaho.

Sipas tij, turizmi dhe sektori i ndërtimit, të ndërlidhur me njëri-tjetrin kanë ndikuar një efekt pozitiv në ekonominë shqiptare. Ai thotë se turizmi këtë vit ka qenë një ‘risi’ për faktin se ka pasur bum të huajsh.

“Turizmi është një risi për ekonominë shqiptare sepse ndërtimi ka qenë një element nga viti në vit komponent i qëndrueshëm i ekonomisë. Në fakt, vlera e ndërtimit për çdo metër katror është rritur këtë vit më shumë sesa vitet e tjera dhe kjo shihet në prodhimin e brendshëm bruto por turizmi ka qenë një risi. Jo se është hera e parë që ka një kontribut në ekonomi por ritmet e rritjes së faktorit turizëm ka qenë një rritje të trefishtë në raport me rritjen që ka pasur Shqipëria në raport me 20 vitet e fundit. Është ndjerë edhe një rritje e nivelit cilësor të nivelit të turistëve, jo vetëm në sasi por edhe në ardhjen e atyre që kanë shpenzuar buxhete më domethënëse. Është e duhur që institucionet ndërkombëtare kanë bërë këtë rishikim që në fakt ishte paralajmëruar nga këto zhvillime.”, shtoi eksperti./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!