E ftuar në Mbrëmje Abc me gazetaren Mirela Milori ishte gazetarja dhe kryeredaktorja e revistës “Monitor” Ornela Liperi. Liperi dha një panoramë të qartë për paketën fiskale të vitit 2020, e cila fillon të aplikohet në fillim të janarit, dhe situatën aktuale ekonomike. Liperi tha se Banka Botërore dhe FMN kanë raportuar se ekonomia në Shqipëri është ngadalësuar, dhe se rritja e saj këtë vit është e ulët në krahasim me vitin e kaluar.
Duke qenë në këtë situatë Liperi tha se viti i ardhshëm, 2020 do të jetë një vit i dobët ku ekonomia nuk do të pësojë rritje, për më tepër qeveria nuk do të ketë mundësi për investime të mëdha që sjellin të ardhura.
Ndërsa për sa i përket paketës fiskale Liperi tha se ka një rritje të gjobave duke përmendur edhe gjobën për tërheqjen e kuponit tatimor nga individi, e cila nga 10 mijë lek që ishte në paketën fiskale të kaluar tashmë është rritur në 20 mijë lek.
Liperi theksoi se Shqipëria është vendi me taksat më të larta dhe pagat më të ulëta në rajon.
“Me aplikimin e paketës së re fiskale në 2020 do të fillojë një sistem më automatik. Ka një rritje të gjobave për moslëshim faturash. Evazioni fiskal është i lartë ndërsa gjobat janë rritur. Individi që nuk tërhiqte kupon kishte një gjobë prej 10 mijë lekësh, tashmë kjo gjobë është rritur në 20 mijë lekë.
Fatkeqësisht viti 2020 nuk do të jetë një vit i mirë. Nëse do e krahasonim me vitin e kaluar theksojmë se rritja erdhi si pasojë e rënies së shirave, ku Shqipëria pati mundësi të prodhojë energjie ta shiste gjë që reflektoi në rritjen ekonomike me 4 %, ndërkohë këtë vit nuk ra shi, dhe rritja ekonomike ishte në 2 %. Në 2020 nuk pritet të ketë rritje ekonomike pasi projektet e mëdha janë në përfundim. Ne kemi ekonomi të dobët. Po ngushtohen koncesionet, nuk ka të ardhura ndërkohë është duke ikur edhe një prej investimeve më të mëdha siç është TAP apo të tjerë. Shqipëria ka qenë e fundit për sa i përket rritjes ekonomike. Jemi vendi me taksat më të larta dhe pagat i kemi të ulëta. Raportet e bankës botërore dhe FMN kanë raportuar se ekonomia është ngadalësuar por këtë qeveria jonë nuk e pranon, dhe deri sa nuk e pranon se ekonomia është në përkeqësim, atëherë nuk ka se si të marrë masa për përmirësim. Për sa kohë që nuk kemi të ardhura dhe jemi të detyruar të paguajmë koncesionet deri në 2024, shteti duhet të shtrëngojë rripin. Viti 2020 do të jetë një vit dietik“, tha Liperi./abcnews.al