Moody’s përmirëson vlerësimin për Shqipërinë/ Ndryshon perspektiven për ekonominë nga “e qëndrueshme” në “pozitive”

schedule10:37 - 20 Prill, 2024

schedule 10:37 - 20 Prill, 2024

Agjencia ndërkombëtare Moodys ka përmirësuar vlerësimin për ecurinë e ekonomisë shqiptare. Në raportin e fundit është parashikuar me rritje perspektiva nga e qëndrueshme në pozitive. Moodys thekson se turizmi do të jetë një ndër sektorët kryesor që do i japë shtysë ekonomisë shqiptare. Ndërsa shifrat e tre muajve të parë flasin për një rritje të fluksit të turistëve të huaj me rreth 60% më shumë se një vit më parë. Po ashtu investimet e huaja dhe remitancat vlerësohet si dy elementë me peshë në ekonominë shqiptare gjatë vitit 2024-2025.

Agjencia ndërkombëtare parashikon që borxhi publik do të zbresë në 56.3% në vitin 2024 nga 59.2 %që ishte në fund të 2023 dhe ekonomia të rritet me 3.5%.

Ndër të tjera në raportin e Moodys thuhet se flukset e qëndrueshme të investimeve të huaja direkte në turizëm dhe energji, përmirësimet në produktivitet, si dhe rritja e pjesëmarrjes në forcat e punës mbështesin një perspektivë pozitive ekonomike afatmesme.

Sipas vlerësimeve të agjencisë sistemi bankar mbetet i fortë dhe me likuiditet të lartë.

Po ashtu integrimi në Be parashikohet ti japë më shumë ritëm zbatimit të reformave  dhe ka të ngjarë të përmirësojë potencialin e rritjes së ekonomisë  së Shqipërisë në një periudhë  afatmesëm si dhe të ngushtojë më tej hendekun në nivelet e të ardhurave me vendet anëtare të BE-së. Me impakt në ekonomi vlerësohet edhe plani i Reformave dhe Rritjes për Ballkanin Perëndimor, i cili u miratua nga Komisioni Europian në vlerën e 6 miliard eurove.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!