Ekipi izraelit i kërkim-shpëtimit i vendosur në Turqi për të ndihmuar në nxjerrjen e personave nga rrënojat e godinave të shembura nga tërmeti që goditi vendin të hënën, tha se do të largohet nga vendi për shkak të kërcënimit të sigurisë.
Shefi ekzekutiv i “United Hatzalah”, Eli Pollack, dhe zv.presidenti i operacioneve, Dov Maisel, thanë në një deklaratë se kishin marrë informacione konkrete për një kërcënim të menjëhershëm ndaj delegacionit izraelit.
“Prandaj duhet t’i japim prioritet sigurisë së personelit tonë”, thanë ata.
“E dimë që rrezikonim nëse dërgonim skuadrën tonë në këtë zonë të Turqisë, pranë kufirit me Sirinë, por ndërmorëm hapat e nevojshëm për të minimizuar rrezikun për hir të misionit tonë për të shpëtuar jetë”, tha Maisel.
Vendimi u mor pas një vlerësimi të situatës nga krerët e Forcave Izraelite të Mbrojtjes dhe njësive të kërkim-shpëtimit. Për shkak të vendimmarrjes së shpejtë, delegacioni izraelit u largua nga Turqia me një avion privat, të dhuruar nga Miriam Adelson, e veja e Sheldon Adelson, biznesmenit dhe donatorit të Partisë Republikane në SHBA.
“Jemi shumë krenar për punën që ka kryer skuadra jonë në pak ditë, duke shpëtuar 15 individë në bashkëpunim me forcat vendase dhe Kryqin e Kuq të Turqisë”, tha Maisel.
/abcnews.al