“Ejvallah Erdogan!”, shkëmbimet tregtare Shqipëri-Turqi/ Rama: Synojmë të jenë në vlerën 2 miliardë dollarë

schedule14:29 - 10 Tetor, 2024

schedule 14:29 - 10 Tetor, 2024

Shqipëria  dhe Turqia synojnë që të thellojnë shkëmbimet tregtare në vlerën e 2 miliardë dollarëve. Ambicien e shpalosën presidenti turk Rexhep Taip Erdoan dhe kryeministri Rama sipas të cilëve vendet tona kanë ende potencial të pashfrytëzuar për të zgjeruar tregtinë e jashtme.

“Në këtë kuadër ne vazhdojmë përpjekjet tona të përbashkëta për të rritur vëllimin tregtar në 2 miliardë dollarë në fazën e parë kjo. Gjatë takimeve tona ne ramë dakord që të diversifikojmë investimet tona të ndërsjella për të përfshirë sektorë novatorë që do të ofrojnë avantazhe në kushtet e sotme”.

Ndërkohë që fokusi u vu edhe në shtimin e investimeve të huaja. Turqia  ka kryesuar listën për këtë vit  dhe të dhënat konfirmojnë se në periudhën janar-gusht projektet turke në ekonominë shqiptare kanë kapur vlerën e 146 milion eurove. Kryeministri Edi Rama ftoi investitorët turq që të investojnë në sektorin e turizmit.

“Duhet të bëhen më shumë  investime të drejtpërdrejta nga ana turke në sektorin e turizmit ku e dimë të gjithë dhe falë, në radhë të parë, të zotërisë në krahun tim, Turqia ka bërë një transformim marramendës dhe është kthyer në një vend që jo thjesht mirëpret miliona e miliona turistë por ka një kapacitet të dijes në nivelin e ekselencës që për ne do të ishte shumë i vyer”.

Po bashkëpunimi do të shtrihet edhe në sektorë të tjerë të ekonomisë.

“Jemi shumë të interesuar dhe patjetër edhe shumë të përmbushur sot pas konfirmimit të një etape të re në fuqizimin e industrisë ushtarake të Republikës së Shqipërisë dhe në fuqizimin e kësaj marrëdhënieje në aspektin ushtarak”.

Në fokus të rritjes së bashkëpunimit u firmosën tre marrëveshje në bujqësi, arsim dhe në marrëdhënie me publikun./abcnews.al