E nisi në Champions dhe e mbylli në raundin e tretë të Conferencë League. Egnatia i jep fund aventurës europiane, duke zhgënjyer pritshmëritë në ndeshjen e kthimit kundër Olimpija Ljubjana.
Në një sfidë pa fat, por edhe dramatike, formacioni nga Rrogozhina u dorëzua 4-2 në kohën shtesë.
Barazimi pa gola në kryeqytetin slloven në sfidën e vajtjes i jepte shumë shpresa skuadrës së Edlir Tetova.
Këtë e ndjenin edhe tifozët që kishin mbushur plot tribunat e stadiumit, ndërsa entuziazmi i tyre u amplifikua që në nisje të sfidës.
Në vetëm tetë minutat e para, vendasit e dërguan katër herë topin në rrjetë, por vetëm goli i Lushkjes ishte i vlefshëm ndërsa tre të tjerët u anuluan për pozicione jashtë loje.
Gjithsesi, realizimi i fantazistit mjaftoi për epërsinë e të zotëve të shtëpisë, por sllovenët reaguan në pjesën e parë, duke barazuar sërish shifrat me Jelenkovic në minutën e 32-të.
Pas pushimit, Olimpija përmbysi rezultatin me Marin që shënoi golin e dytë për miqtë në minutën e 77-të.
Ndeshja për kampionët e Superiores u bë më e vështirë pas kartonit të kuq të Jehaja, por katër minuta nga fundi i kohës së rregullt, me golin e dytë personal Regi Lushkja barazoi shifrat, duke çuar sfidën në shtesë.
Këtu u plotësua zhgënjimi i skuadrës së drejtuar nga Edlir Tetova.
Me forca më të pakta në fushë me energjitë e shteruara, Egnatia pësoi edhe dy gola të tjerë që i dhanë fund aventurës se kampionëve të Shqipërisë në këtë edicion të Kupave të Europës.
/abcnews.al/

