Egnatia fiton duelin e mbijetesës, Ademi kthen me “këmbë në tokë” Kastriotin

schedule15:53 - 26 Shkurt, 2022

schedule 15:53 - 26 Shkurt, 2022

Egnatia ka arritur të marrë një fitore shumë të rëndësishme përballë Kastriotin, në duelin e mbijetesës. Rrogozhinasit mposhtën 2-1 krutanët në “Arena Egnatia” në ndeshjen e javës së 22-të të Abissnet Superiores.

Goli i parë i kësaj ndeshje do të vinte vetëm në minutën e 58, dhe vendasit do të ishin ata që do të dërgonin topin në fundin e rrjetës së Kastriotit. Gëzim Krasniqi kalon në avantazh rrogozhinasit me anë të një penalltie, ku më parë Husseini kishte shkaktuar faull ndaj Duranskit, me gjyqtarin Hamiti që ka vërshëllyer për 11-metërsh.

Kastrioti i Emiliano Çelës do të reagonte menjëherë në minutat në vazhdim, teksa pretendojnë për një prekje topi me dorë nga kundërshtarët në zonën e Egnatias, por kryesori nuk ndan të njëjtin mendim.

Goli i barazimit do të vinte përsëri nga një penallti në 73′ për Kastriotin, Bledar Lila ka prekur topin me dorë dhe për kryesorin Eldorjan Hamiti nuk ka dyshime është 11-metërsh, ku edhe në dhomën e sistemit VAR konfirmohet 11-metërshi. Kaina merr përsipër të ekzekutojë penalltinë që tregohet i saktë, ndërsa në Rrogozhinë do të vendosej edhe baraspesha.

Shpërthen festa në “Arena Egnatia”, kur Ilirid Ademi shënoi edhe golin 2-1 për rrogozhinasit 90’,  të cilët arrijnë kështu të marrin një 3 pikësh që vlen shumë në luftën për mbijetesë.

Tensionet nuk munguan edhe në këtë ndeshje mes lojtarëve dhe në minutën e fundit të takimit Artur Magani do të ndëshkohet me karton të kuq për protesta.

Me këtë fitore skuadra e Zekirija Ramadanit arrin në kuotën e 22 pikëve në vendin e 7, ndërsa Kastrioti ngelet në kuotën e 18 pikëve në zonën e ftohtë. /f.a/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!