Egnatia, Champions vlen 3 milionë/ Kampionia e Shqipërisë synon kualifikimin ndaj Borac në “Elbasan Arena”

schedule12:16 - 17 Korrik, 2024

schedule 12:16 - 17 Korrik, 2024

Është një moment shumë i rëndësishëm. Nuk dihet nëse Egnatia do ta përballojë presionin dhe do të ketë përvojën e duhur për t’u ngritur në nivelin që kërkohet, por gjithsesi mbrëmja e sotme mund të vlejë mjaft.

Kampionia e Shqipërisë luan ndeshjen e dytë të raundit të parë eliminator të Championsit, dhe përballë në “Elbasan Arena” do të ketë skuadrën nga Bosnjë-Hercegovina, Borac. Dueli i parë në Banja Lukë përfundoi 1-0 për vendasit.

Përballja nis në orën 21:00, dhe në rast kualifikimi Egnatia do të kishte përfitime të ndjeshme financiare. Vetëm nga pjesëmarrja në këtë raund, ekipi i trajnerit Edlir Tetova merr 960 000 euro nga UEFA.

Kalimi në raundin e dytë eliminator do të sillte edhe 1.7 milionë euro të tjera, me kundërshtar skuadrën greke, PAOK të Selanikut, dhe në rast eliminimi do të vazhdohej në raundin e tretë eliminator të Ligës së Europës, dhe nëse eliminohen edhe aty, do të jenë në playoff-in e Ligës së Konferencës.

Fitime më të vogla në rast eliminimi, sepse kalohet direkt në Ligën e Konferencës me rival Vikingurin e Islandës.

Në ndeshjen e luajtur në kryeqytetin e Republikës Srpska, Egnatia humbi me golin e shënuar nga Damir Hrelja në minutën e 6-të shtesë.

Ekipi nga Rrogozhina luajti me 10 lojtarë që nga minuta e 58-të kur Arbin Zejnullai doli me karton të kuq, ndërsa ndeshja u ndërpre nga koret nacionaliste të tifozëve vendas që thirrën “Kosova është Serbi”./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!