Egjipti hodhi poshtë propozimin e Izraelit për rihapjen e kalimit Rafah që lidh Gadishullin egjiptian Sinai me Rripin e Gazës. Propozimi kishte të bënte gjithashtu me menaxhimin e pikëkalimit, thanë dy burime egjiptiane të sigurisë.
Zyrtarët nga agjencia izraelite e sigurisë Shin Bet zbuluan planin gjatë një vizite në Kajro të mërkurën, mes tensioneve në rritje midis dy vendeve lidhur me avancimin ushtarak të Izraelit që nga java e kaluar në Rafah, ku qindra mijëra palestinezë u zhvendosën nga lufta.
Ky vendkalim ka qenë “porta” kryesore për ndihmën humanitare në Gaza dhe një pikë dalje për të plagosurit dhe të sëmurët që do të zhvendoseshin nga enklava palestineze, ku kriza humanitare është thelluar dhe shumë janë në prag urie.
Propozimi i Izraelit kërkonte zhvillimin e një mekanizmi për të menaxhuar kalimin pas tërheqjes së forcave të tij ushtarake, sipas burimeve të sigurisë.
Një zyrtar izraelit, i cili foli në kushte anonimiteti, tha se delegacioni udhëtoi në Egjipt “kryesisht për të diskutuar çështjet që lidhen me Rafah, duke pasur parasysh zhvillimet e fundit”.
/abcnews.al