Egjipti dhe SHBA diskutojnë për një armëpushim në Gaza

schedule11:07 - 10 Korrik, 2024

schedule 11:07 - 10 Korrik, 2024

Ministri i Jashtëm i Egjiptit, Badr Abdelatty diskutoi me homologun e tij amerikan Antony Blinken mundësitë për shkëmbimin e pengjeve dhe arritjen e një marrëveshjeje për armëpushim në Rripin e Gazës.

Në një deklaratë nga Ministria e Jashtme të Egjiptit thuhet se Abdelatty ka zhvilluar një bisedë telefonike me Blinkenin. Palët diskutuan mbi përpjekjet e vazhdueshme dhe mundësitë për të arritur një armëpushim që do të mundësonte shkëmbimin e pengjeve dhe do të intensifikonte hyrjen e ndihmave humanitare në Rripin e Gazës.

Në bisedën telefonike mes Abdelatty dhe Blinkenit, u diskutua edhe për zhvillimet në lidhje me krizën në Sudan e cila prej më shumë se një viti është skenë e luftës civile mes forcave të ushtrisë dhe Forcave të Mbështetjes së Shpejtë.

Dy kryediplomatët ranë dakord të vazhdojnë komunikimin në fazën e mëpasshme për të vazhduar koordinimin dhe konsultimet për çështje të tjera të rëndësishme rajonale, si situata në Libi dhe siguria e Detit të Kuq dhe Libanit.

Abdelatty, edhe në bisedën e tij telefonike që zhvilloi me Sekretarin e Jashtëm britanik, David Lammy, diskutoi për zhvillimet në Gaza dhe për përpjekjet ndërmjetësuese të Egjiptit.

Dy ministrat shprehën “shqetësim të thellë për situatën në Liban dhe mundësinë e përshkallëzimit të tensioneve në mënyrën që do të kërcënonin stabilitetin e Libanit dhe do të rrisnin tensionet në rajon”.

Presidenti egjiptian, Abdel-Fattah al-Sisi, dje diskutoi për “sigurimin e një armëpushimi në Gaza” me drejtorin e Agjencisë Qendrore të Inteligjencës Amerikane (CIA), William Burns.

Nëpërmjet përpjekjeve ndërmjetësuese të udhëhequra nga SHBA-ja, Katari dhe Egjipti po bëhen përpjekje për të arritur marrëveshje midis Izraelit dhe Hamasit që do të garantojë shkëmbimin e pengjeve dhe armëpushim nga të dyja palët.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!