Egbo: Tiranës i duhet trajner tjetër, dikur i nisnim ndeshjet 1-0. Ja si fitohet derbi

schedule13:37 - 12 Dhjetor, 2019

schedule 13:37 - 12 Dhjetor, 2019

“Tirana është klubi më i madh në Shqipëri dhe e pranoj çdo punë. Është detyrë, pasi është klubi i zemrës. Këtu kam ardhur për herë të parë në Shqipëri”, tha në filim Emanuel Egbo, trajneri i Tiranës në ndeshjen derbi me Partizanin.

Më tej ai shtoi: “Duhet ta marrim si ndeshje të radhës. Derbi është në fokusin e Shqipërisë, ka edhe nga jashtë që duan ta shohin.  Nuk mund të flasim për objektiva, është ndeshja e radhës që duhet fituar. Objektivat janë të njëjta nga fillimi. Vendi i parë është 6 pikë larg. Do futemi në fushë për të luftuar”.

Egbo nuk ëndërron ta drejtojë Tiranën deri në fund të sezonit: “Nuk mund të them a jam njeriu i duhur apo jo. Më është dhënë besimi për ta drejtuar skuadrën tani dhe Nuk më intereson a jam i duhuri apo jo. Kjo është zgjedhja e klubit . Nuk mendoj ta drejtoj Tiranën deri në fund. Duhet një me eksperiencë. Edhe unë kam drejtuar Bylisin, por Tirana do një staf të plotë. Tani jam vetëm me përgatitësin atletik. Të kalojmë këtë ngërç dhe klubi do vendosë”.

Trajneri i bardhebluve beson te fitorja me Partizanin: “Nuk na mungon asgjë për të fituar. Duhet të luftojmë çdo ndeshje, duhet durim. Nuk duhet të mendojmë kohën se sa kohë kemi pa fituar dhe të dalim jashtë detyrave nga presioni. Është pak e vështirë, ata janë të parët. Ne jemi më poshtë. Një arsye tjetër që na motivon është kjo. Nesër do japim 100 për qind nga kapaciteti ynë. Me ato tre pikë mund të lehtësohet më shumë kjo situatë që po kalojmë”.

“Mungesat? Edhe ata kanë mungesa, jo vetëm ne. Nuk kemi Hasanin, Dungën, Cale dhe Osmanin. Edhe ata që do të luajnë do të japin maksimumin në fushën e blertë”, shtoi Egbo, i cili bëri edhe një krahasim mes periudhës aktuale dhe asaj kur ai luante në fushë për Tiranën.

“Kur isha unë, ishte epokë tjetër. Atëherë dilnim kampion. Ka pasur lojtarë më ndryshe. Kishim Fortuzin dhe sa fillonim ndeshjen e dinim që e nisim 1-0. Futbolli ka ndryshuar, nuk ka ekipe të lehta dhe të forta. E shikoni vetë nga diferenca. Atëherë ishin Tirana, Partizani dhe Dinamo. Ekipet e tjera ishin kalimtare”, përfundoi Egbo. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!