Emanuel Egbo, trajneri i Tiranës, pas ndeshjes me Flamurtarin analizoi skuadrën e tij. Nigeriani, në lidhjen direkte me emisionin “Gol pas Goli” në Supersport deklaroi: “Në fazën që është kampionati, besoj se hynë shumë në punë tre pikët, jo loja e bukur që krijon ekipi.
Është një ndeshje e vështirë kjo që e kemi luajtur, po vijmë nga një ndeshje derbi kundër Partizanit, para Partizanit kishim Kukësin. Kemi ndeshje të forta, lojtarët tanë janë të ngarkuar. Kemi pasur dhe disa lojtarë me probleme shëndetësore, por e rëndësishme për ne ishte të merrnim tre pikët, që ishte dhe objektivi ynë për këtë transfertë në Vlorë.
Asnjëherë nuk merrem me ndeshjet e kundërshtarëve, shoh ekipin tim. E rëndësishme është që ne të vazhdojmë të fitojmë dhe të marrim tre pikët e radhës. Për Halilin, nuk e pashë doli i mërzitur apo jo, e keni parë ju. Unë nuk mendoj se ka dalë i mërzitur. Ia kam shpjeguar dhe para ndeshjes se ai duhet të tregojë veten sot. Jam i kënaqur nga të gjithë lojtarët, kanë dhënë 100%. Nuk ishte e lehtë për Halilin, të luante direkt titullar në një ndeshje jashtë. Këto janë faktorë që nuk më bezdisin shumë, e vetmja gjë që dua janë tre pikët.
Aktivizimi i Karabecit? Çuam disi më lart Bathën, pasi Muçi nuk po jepte shumë pas sulmuesit. Ai është sulmues pykë, por ne kishim mungesa. Megjithatë, unë e kam thënë se çdo lojtar është i rëndësishëm për ekipin. Kush ka luajtur sot, ishte gati dhe kanë dhënë maksimumin e mundshëm që kishin për të dhënë sot.
Nga minuta e parë, nuk mund ta filloja me Karabecin, pasi i dua të dy mesfushorët e qendrës me karakteristika të ndryshme. Aktivizuam Sidiben, më shumë prioritet në mbrojtje. Kishim dhe Muçin, nuk e doja ekipin shumë sulmues. Më kalimin e minutave, aktivizova Erandon. Ne mendojmë për të mirën e ekipit fillimisht. Veprimet që bëjmë, mendojmë gjithmonë për të mirën e ekipit. Jam njeri optimist dhe pozitiv gjithmonë, nuk e kam menduar asnjëherë humbjen. Unë kam detyrë të bëj ekipin tim që të japë 100% në fushë.
Zoti që është lart, do të vendosë. Zoti e di që ne i besojmë dhe ai do të na ndihmojë të marrim rezultatet e duhura. E kam thënë shpeshherë, emri im është Emanuel dhe do të thotë se Zoti është me ne. Në qoftë se beson te Zoti, Zoti e shikon dhe të ndihmon. Ekipi është në harmoni, janë bërë si vëllezër, nuk ka përçarje, prandaj ekipi po ecën përpara”, tha Egbo.