Egbo shikon vetëm finale: Vlerësim maksimal Skënderbeut, ja si mund të fitojmë

schedule13:18 - 14 Shkurt, 2020

schedule 13:18 - 14 Shkurt, 2020

Emanuel Egbo, para ndeshjes me Skënderbeun ka dalë para mediave dhe ka folur për këtë përballje dhe tema të tjera. Nigeriani thekson se çdo ndeshje e Superiores është e vështirë.

“Të gjitha ndeshjet janë të vështira njëlloj. Edhe ndeshjet me Luftëtarin dhe Flamurtarin, janë të njëjta si kjo me Skënderbeun. Çdo ndeshje duhet të vlerësohet maksimalisht”, shprehet fillimisht Egbo.

Në ndeshjen e mesjavës, në Kupë, Tirana la pushim pjesën më të madhe të titullarëve.  Gjithsesi Egbo ka këndvështrimin e tij për këtë gjë. “Nuk më vjen mirë kur flitet për titullarët. Siç e kam thënë, të gjithë lojtarët brenda në këtë ekip janë titullarë.

Nuk ka rëndësi se kush nis nga fillimi. Ka disa lojtarë që kanë luajtur shumë ndeshje bashkë. Nuk mund t’i quaj titullarë, por lojtarë që rastis të nisin ndeshjen. Nuk ka ekip i parë dhe ekip i dytë te Tirana. Janë lojtarë të gatshëm në çdo ndeshje”.

Më tej Egbo është pyetur edhe për pikat e dobëta të Skënderbeut. “Ne gjithmonë shohim lojën tonë. Merrem me ekipin tim. E vlerësojmë Skënderbeun, kanë një trajner të mirë dhe lojtarë që kanë luajtur bashkë për disa vjet. Ndeshja është vlerësuar maksimalisht”.

Trajneri i bardhebluve ka folur edhe për përballjet e mëparshme mes këtyre dy skuadrave. “Po, kemi fituar në Tiranë 3-1, dhe humbëm në Korçë 2-1. Nuk ka rëndësi çfarë ka ndodhur, shohim përpara. Nëse lojtarët luftojnë për çdo top dhe japin maksimumin, do marrim atë që meritojmë”.

Sërish ngacmim për Bruno Ditën: “Unë flas për lojtarët që kam. Dita është një lojtar i mirë, është një armë plus për atë ekip që e ka. Nuk flas për lojtarët që s’kam në ekip”.

Në fund, i pyetur nëse pritet një ndeshje me shumë gola, Egbo tha: “Besoj se Tirana di të krijojë raste dhe të shënojë. Kemi biseduar me lojtarët, që nëse e mbajmë zero mbrapa, mund të shënojmë gola. Skënderbeu dhe ne luajmë hapur. Ai që bën më pak gabime do marrë maksimumin e ndeshjes”. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!