Egbo: Nuk i vë notë Tiranës, e dimë ku çalojmë! Afrikanët? Duan kohë

schedule08:18 - 25 Tetor, 2020

schedule 08:18 - 25 Tetor, 2020

Emanuel Egbo, trajneri i Tiranës, pas ndeshjes miqësore me Laçin ka bërë një analizë të paraqitjes së skuadrës së tij, ndërkohë që flet edhe nisjen e kampionatit, mundësinë e një kalendari të ngjeshur, afrimet nga Afrika dhe për lojtarët e dëmtuar që nuk ishin dje në fushën e blertë. A mundet nigeriani t’i vendosë një notë skuadrës së tij? Ende jo. Abcnews.al ju sjell deklaratën e trajnerit kampion, dhënë një ditë më parë për mediat pas miqësores që bardhebluë e humbën 0-1 kundër Laçit.

SFIDA ME KURBINASIT – “Miqësoret nuk kanë rezultatin parësor, bëhen për të mbajtur skuadrën të karikuar dhe për të parë nga afër gjendjen e lojtarëve, grupit që kemi. Këtë kemi parë në këtë ndeshje dhe e dimë ku çalojmë dhe ku jemi. Shpresojmë të nisë kampionati sa më shpejt. Ajo do t’u japë lojtarëve tonizimin për t’u futur në ritmin e lojës”.

NISJA E KAMPIONATIT – “Të gjithë, futbollistët dhe tifozët dhe i gjithë shteti shqiptar, duhet të jenë të kënaqur në momentin që rikthehet futbolli. Nuk na ka munguar vetëm ne që merremi me këtë punë, por edhe tifozëve që i ndjekin ndeshjet nga televizioni apo në stadium. Kështu që do jetë diçka e bukur dhe e mirë për të gjithë merren me futbollin, sikurse edhe për tifozët”.

NGJESHJA E KALENDARIT – “Normal që po të ketë ndeshje të ngjeshura do të jetë problem për të gjithë ekipet. Shpresoj të kemi 5 ndërrimet dhe ato do ndihmojnë më shumë ekipin për të qenë në formë dhe për të ruajtur freskinë lojtarët që janë brenda ekipit”.

AFRIMET NGA AFRIKA – “Nuk presim të jenë gati direkt, që të jenë direkt në nivelin e lojtarëve të tjerë. U duhet kohë të mësohen me mënyrën e lojës dhe strategjinë që përdorim. Çdo gjë vjen në kohën e vet. Kanë ende punë për të bërë dhe për të kapur nivelin e tyre maksimal”.

TË DËMTUARIT – “Cale ka bërë operim dhe i ka dalë mirë operimi. Ndoshta nga janari mund të kthehet me ekipin. Toshevski dhe Çelhaka janë në fazën e fundit të rikuperimit dhe shpresojmë që para se të nisë kampionati të bashkohen me ekipin”.

NOTA PËR SKUADRËN – “Nuk e jap unë dot. Siç e thashë më parë, është ndeshje miqësore dhe nuk japim nota. E kemi përdorur për diçka tjetër. Notat nuk i jap . Ekipi mendoj se ka bërë mirë deri diku, në disa momente. Pas pësimit të golit më kënaqi këmbëngulja e ekipit, edhe pse ishim me një lojtar më pak. Tentuam ta fusim në presion ekipin kundërshtar. Kjo është ajo që na intereson. Rezultati nuk është se na intereson shumë, edhe pse dihet që fitorja të jep diçka nga ana morale. Nuk besoj se duhet të japim nota. E dimë ku kemi çaluar dhe duhet të punojmë të përmirësohemi në ato pika”. /Vladimir Prenga/ abcnews.al