Emanuel Egbo dhe Tirana i gëzohen kalimit në fazën çerekfinale të Kupës së Shqipërisë, ndërkohë që do të përballen me Besëlidhjen. Nigeriani nuk e fsheh që do kishte dashur që të kualifikohej Partizanin dhe të kishin derbi, por tani janë para një fakti dhe duhet të mendojnë të kalojnë me sukses lezhjanët.
“A do kishit dashur Partizanin në çerekfinale? Normalisht që po. Pa e nënvlerësuar Besëlidhjen, në Kupë do të kishim një tjetër derbi, një ndeshje që do të kishte kënaqur edhe tifozët dhe lojtarët. Ata do të jepnin 100 përqindëshin e tyre”, shprehet Egbo.
Në lidhje me paraqitjen kundër Kastrioti, trajneri i Tiranës shton: “Tirana nuk ka ekip të parë apo të dytë, por skuadër që luan. Ata që kanë qenë në fushë kanë bërë shumë mirë dhe duket që janë të gatshëm për të luajtur kurdo nga ana ime”.
Në një pozicion jo natyral u pa mesfushori Jurgen Çelhaka. Ai u pozicionua si mbrojtës i djathtë kundër krutanëve. “Kemi bërë këtë lëvizje, sepse kishim shumë pak hapësira, ose më saktë lojtarë në atë pozicion. Doka është aktivizuar shumë ndeshje 90 minuta dhe kemi menduar që ai të pushojë pak. Dhe Çelhaka ka marrë minutat, për të qenë pjesë e stërvitjes”.
Egbo në fund flet edhe për ndeshjen e radhës në kampionat, kundër Skënderbeut: “Normal që duhet vlerësuar si ndeshje. E kemi vlerësuar në maksimum Skënderbeun, sepse ata janë kampionë të Shqipërisë për shtatë vite dhe nuk është ekip që kalohet lehtë, për më tepër që na kanë mundur. Edhe Flamurtari e Luftëtari që janë në fund të tabelës, mbeten skuadra për t’u vlerësuar”. /abcnews.al