Egbo në ABC: Presionin e ka Partizani, futbolli pa tifozë ka diçka mangët! Titulli? Garë e hapur

schedule17:01 - 11 Mars, 2021

schedule 17:01 - 11 Mars, 2021

Trajneri që fitoi vjet titullin me Tiranën, Emanuel Egbo, analizon derbin e kryeqytetit këtë të shtunë. Në një intervistë për ABC, Egbo flet për gjendjen e Tiranës e Partizanit, si dhe për garën për titull

Kur e caktuan në stol një vit e gjysmë më parë, u mendua si auto-shkollë. Një ish-portier e trajner portierësh si Emanuel Egbo, në timon të Tiranës, u duk një guxim i tepruar i presidentit Refik Halili, por historia u shkrua ndryshe. Ndeshja e parë ishte derbi, erdhi fitorja e parë dhe shtysa për të shkuar në mënyrë të pabesueshme drejt titullit  dhe po ky Emanuel Egbo analizon duelin e së shtunës, Tirana-Partizani për Superioren.

“Në këtë moment Tirana është psikologjikisht më mirë se sa Partizani. Gjithsesi në derbi koha ka treguar, që edhe vjet Tirana një moment më të keq arriti të fitonte. Partizani ka më shumë presion se Tirana në këtë ndeshje. Të dyja ekipet duhet të fitojnë për të vazhduar të rivalizojnë për titullin kampion ose për kupat e Europës. Mendoj se është një ndeshje 50 me 50”, thotë fillimisht Egbo në intervistën e dhënë për gazetarin e ABC, Bledar Kuka.

Mungesën e tifozëve, Egbo e sheh edhe negative edhe pozitive. “Futbolli pa tifozë ka gjithmonë diçka që i mungon. Është një plus për lojtarët dhe trajnerët. Kur flasin futbollistët dëgjojnë, kurse në derbi me tifozë mund të flasësh vetëm me shenja. As zëri i njëri-tjetrit nuk dëgjohet dot”, shton trajneri që vjet u shpall kampion me Tiranën.

Përtej derbit, si e mendon Egbo garën për titull? “Duke parë ndeshjet, edhe Kukësi i vendit të gjashtë duhet të luftojë për titullin kampion. Çdo gjë mund të ndodhë. Nëse fiton tre ndeshje dhe rivalët humbasin, ti del në vend të dytë ose të parë. Sipas lojës së bërë, të gjitha ekipet e meritojnë pozicionin në tabelë deri më tani”, shprehet nigeriani, i cili më pas flet sërish për kampionatin.

Gjithsesi, ai veçon dy ekipe, si dhe bën një paralajmërim. “Nëse shohim përbërjen e lojtarëve, Laçi është në pozicionin më të mirë me lojtarët që ka. Teuta e ka futur në ndonjë rast veten në presion, që duhet të fitojmë se s’bën, atëherë është bërë e vështirë. Të gjitha ekipet kanë lënë pikë me ekipet poshtë, çka Tirana nuk e bëri vjet dhe u shpall kampion”. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!