Protesta të ashpra të Bylisit pas humbjes me Tiranën në Superligë, por për vendasit fitorja ishte e merituar. Trajneri Emanuel Egbo vlerësoi se golat e skuadrës së tij ishin të rregullt
Zemërimi ishte i dukshëm pas ndeshjes. Bylisi akuzoi arbitrin pas humbjes 1-2 me Tiranën në Superligë në “Selman Stërmasi”dhe ndonëse trajneri Dovedan e presidenti Kapllanaj nuk folën, gjithçka ishte e qartë.
Skuadra nga Ballshi protestoi sidomos për golin e dytë, atë të fitores në minutën e 6-të shtesë, shënuar nga Ngoo. Jo vetëm kaq, por nga acarimi, gjyqtarët u detyruan të dilnin nga stadiumi në fshehtësi dhe nën mbrojtje të fortë.
Për golat e kundërshtuar u pyet edhe trajneri tiranas, Emanuel Egbo. “Nuk e di, edhe unë mund të kem dyshime për penalltinë e dhënë kundër nesh. Pamja nuk ka qenë e qartë, pasi duhet kamera nga krahu tjetër për ta parë është apo nuk është penallti. Të tre golat e shënuar mendoj se janë të saktë. Nuk kam çfarë them për arbitrimin, gjithmonë merrem me ekipin tim”.
Gjithsesi, a e cilëson Egbo fitoren si të merituar? Mendoj se ne e merituam fitoren, pavarësisht se si shkoi ndeshja. E dinim që në fillim se do të ishte një përballje e vështirë. Vazhduam me këmbëngulje dhe në fund Zoti ka vendosur. Meritat i shkojnë atij”.
Tirana e Egbo ka 4 fitore radhazi, por sikur nuk bindi shumë. “Nuk jemi 100 për qind siç kemi qenë në ndeshjen e fundit në dhjetor. Është sikur të ketë nisur sërish kampionati dhe ekipi do kohë të marrë veten dhe për të qenë në maksimum”.
Trajneri nga Nigeria vazhdon me rekordin e 100 për qind të fitoreve, që kur mori në dorë skuadrën që më parë e drejtuan Ardian Mema dhe Julian Ahmataj. Vetë Mema, si një legjendë bardheblu, nuk ngurron ta ndjerë Tiranën në çdo ndeshje, të paktën në kryeqytet. /abcnews.al