Trajneri i Tiranës, Emanuel Egbo, ka folur gjatë pas humbjes 1-2 kundër Kukësit, duke iu përgjigjur pyetjeve të Nevil Dedes dhe Jetmir Halilajt. Në fjalën e tij për Supersport, numri një i stolit bardheblu tha: “Sot ishte një ditë për t’u harruar. Është hera e parë që e kam parë ekipin tim në këtë atmosferë, nuk e shpjegoj dot. Ndoshta nga shumë faktorë të tjerë, ndeshja e fundit në Kupë, opinionet, energji negative që ka qenë afër ekipit. Ne e filluam ndeshjen mirë, krijuam rastet.
Do shohim çfarë do të bëjmë për të rritur entuziazmin. Jemi ende në vend të parë, kemi 6 pikë më shumë. Jemi në rrugën e duhur, thjesht të ngremë moralin dhe të karikojmë njëri-tjetrin. Të marrim pikët që na duhen për të dalë kampionë.
Në momentin që kam marrë ekipin, nuk e kam thënë asnjëherë që Tirana është kampion. E kam thënë që llogaritë do të bëhen në fund. Ekipi duhet mbajtur gjithmonë me këmbë në tokë dhe ky është mentaliteti im. Në fund bëhen llogaritë. Duhet t’i marrim ndeshjet një e nga një.
Nëse ka ndikuar ndeshja me Ballshin, nuk do të arrinim të krijonim rastet që kemi krijuar sot. Ne kemi arritur të krijojmë rastet, edhe pse nuk ishim në formën tonë më të mirë. Rezultati mund të ishte dhe ndryshe. Kush është besimtar, nuk bën pyetje të tilla. Unë dhe ti (drejtuar Jetmir Halilajt), nuk jemi Zoti. Kam ndërgjegjen time personale pas ndeshjes kundër Ballshin, nuk kemi bërë asgjë të keqe. Asnjeri nuk është Zoti! Asnjeri nuk e di çfarë ka ndodhur.

Lëvizjet në mbrojtje? Nëse do të kisha mundësi tjetër, po të kishim Dokën, nuk do të prishja ekuilibrat. Ajo ishte zgjidhja që duhej bërë. Ishte një ndryshim i detyruar. Deri diku, jam i kënaqur, por nga rezultati i ndeshjes, nuk jam i kënaqur. Shitja e Kërçikut? Kërçikun nuk e ka shitur klubi, ka ikur vetë. Edhe Imami ka ikur vetë”, u shpreh Egbo.

