Efekti i karantinës në familjet shqiptare, studimi: Negativ për 43.9% të qytetarëve

schedule15:39 - 11 Maj, 2020

schedule 15:39 - 11 Maj, 2020

Paralelisht me studimet për Shkenca Politike në Universitetin e Tiranës Ervisa Shehu na tregon se punonte recepsioniste në një hotel në periferi të kryeqytetit.

Izolimi për shkak të pandemisë së koronavirusit e ka detyruar ti ndërpresë të dyja dhe prej dy muajsh të kthehet në qytetin e lindjes, në Dibër.

Kjo situatë thotë se e ka vënë në vështirësi financiare.

“Ka ndikuar më keq se sa e mendoja”, shprehet ajo.

Në kushtet e Ervisës sipas një studimi të realizuar nga studentë e të diplomuar për ekonomi pjesë e Këshillave Studentor ndodhen  43.9% e qytetarëve në vend. Karantina për shkak të Covid-19 ka ndikuar negativisht në gjendjen e tyre financiare.

Studentja e Shkencave Politike na tregon se ka aplikuar për pagën e luftës, por ende në llogarinë e saj bankare nuk ka mbërritur mbështetja financiare.

 “Kemi aplikuar që me paketën e parë, por ne nuk kemi marrë refuzim, por as konfirmim. Punëdhënësi është në pritje që ne të marrim pagën e luftës. Unë kam më shumë se dy vite në punë me kontratë, paguaj edhe sigurime”, tregon ajo.

Sara, një nga studentet e përfshira në studim na tregon se rreth 90% e të punësuare që kanë pyetur iu kanë thënë se nuk e kanë marrë ndihmën financiare. Arsyet janë të ndryshme.

“Nga pyetësori ka rezultuar se zbatimi i tyre nuk është korrekt, sepse 95% e tyre nuk kanë marrë masa nga qeveria. Mbase shumica e individëve kanë mungesë informacioni, ose paketat nuk janë bërë aq të qarta për të ndihmuar punonjësit, që aplikimi i tyre për të marrë ndihmën të bëhet sa më i thjeshtë”, thotë Sara.

Në këto kushte parashikimet për të ardhmen ekonomike të tyre janë pesimiste. Rreth  31% e qytetarëve mendojnë se financat do tu ndikohen nga kriza për dy deri në 3 muaj.

“Shumica kanë deklaruar se efekti i krizës do të ndikojë negativisht në gjendjen financiare për një periudhë afatshkurtër”, u shpreh ajo.

Universitetet hapen së shpejti dhe Ervisa na tregon se atëherë do të kthehet në Tiranë, por nuk e di ende nëse të hapura si dyert e shkollës së lartë do të gjejë dhe ato të biznesit ku punonte para karantinës.

“Do të vazhdoj të punoj, por nuk e di nëse do të jem akoma në punën që kam pasur”, shprehet Ervisa./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!