Efektet në SPAK të sherrit në mbledhjen e djeshme të KLP që nxitën reagimin e fortë të zyrtarëve amerikanë

schedule14:17 - 22 Tetor, 2019

schedule 14:17 - 22 Tetor, 2019

KLP është në fazën e fundit të përgatitjeve për ngritjen e SPAK, ku tashmë i duhet që të gjejë një hapësirë ligjore për të filluar funksionimin e kësaj njësie me 10 anëtarë deri në plotësimin e numrit prej 15 prokurorësh.

Mbledhja e djeshme ishte kyçe sa i përket ngritjes së tij pasi do të vendosej se si do të veprohej, por ajo dështoi vetëm pak minuta pas fillimit.

Anëtari Besnik Cani u përplas verbalisht me kreun e KLP-së, Gent Ibrahimi pas pretendimeve se kishte marrë me vonesë materialet e mbledhjes, ndryshe nga sa parashikon ligji për funksionimin e këtij institucioni.

Kaq mjaftoi që Ibrahimi të largohej nga salla duke mbyllur gjithashtu mbledhjen, për të cilën u tha se u shty, por në fakt dështoi.

Bashkë më mbledhjen u shty për disa ditë edhe vendimi për mënyrën se si do të veprohet me SPAK, njësia për të cilën amerikanët nuk janë kursyer në mbështetjen e tyre.

Gjatë ditës së sotme, në zyrën e Ibrahimit shkoi një delegacion i lartë amerikan, i kryesuar nga Jorgan K. Andrews me detyrë Zv. Ndihmes Sekretar i Shtetit. Të pranishëm në takim ishin edhe zv.ambasadorja amerikane në Tiranë Leyla Moses Ones si edhe përfaqësues nga OPDAT.

Gazetarja Glidona Daci raportoi për abcnews.al se gjatë takimit kreu i KLP-së Gent Ibrahimi theksoi se këshilli po shikon hapësirat ligjore për ngritjen e SPAK me tetë prokurorë si edhe dy të tjerë të komanduar nga lista e kandidatëve të kualifikuar për SPAK, ndërsa mesazhi i Andreës ishte më tepër se i qartë.

“Ne jemi të vetëdijshëm për presionet ndaj KLP, por jemi të gatshëm të japim mbëshetjen e nevojshme për prokurorët e SPAK”, tha ai.

Ky mesazh i fortë vjen pikërisht një ditë pas sherrit të djeshëm në KLP, i cili shtyu edhe ngritjen e SPAK, struktura e fundit e rendësishme për të fillur funksionimin e plotë të ingranazheve të Reformës në Drejtësi, e cila nisi tre vite më parë, por që nuk është përmbyllur ende. /abcnews.al/