Edmond Tupja: Çfarë do t’u thoja prindërve që kanë fëmijët me autizëm, si Gesi im

schedule23:11 - 20 Prill, 2022

schedule 23:11 - 20 Prill, 2022

“Të mësoje se yt bir vuan nga një sëmundje që do ta lërë gjithnjë si fëmijë, ishte një shok, një tronditje”. Kështu e ka kujtuar pedagogu dhe përkthyesi Edmond Tupja momentin e 35 vjetëve më parë kur ka mësuar nga mjeku se i biri i tij, Gesi, vuante nga spektri i autizimit.

Duke folur për “Refleksione”-t në ABC marrëdhënien me të birin e tij, Tupja ka zbuluar vështirësitë e kohës kur u konstatua nga mjeku se i biri ishte ndryshe nga moshatarët e tij dhe se kjo do t’i kushtonte një marrëdhënie krejtësisht të ndryshme krahasuar me prindërit e tjerë. “Ne nuk e dinim se çfarë është autizmi. Unë kisha parë vetëm një film, ‘Njeriu i shiut’, me Dastin Hofman, kur kisha qenë në Paris, por nuk e dija se çfarë ishte. U befasuam shumë të dy ne si prindër të Gesit kur mjeku na e tha. Kjo edhe për faktin se Gesi qeshte e luante. Por ne nuk e kishim kuptuar se ai qeshte e luante vetëm me ne të rriturit, jo me moshatarët.

Doktori, mbaj mend, më bëri një pyetje: A ka bërë pyetje me ‘pse’ Gesi juaj? Kjo pyetje e doktorit më tronditi, pasi unë kuptova se ai fëmijë nuk kishte kureshtje, nuk donte ta zbulonte botën rreth e qark. Ai mbrohej duke mos dashur ta njihte botën”, ka kujtuar Tupja. Sipas tij, në kohën e diagnostikimit të të birit, shoqëria shqiptare nuk e njihte këtë diagnozë. Për më tepër, vuante nga mentaliteti i fqinjëve të cilët nuk duhet të mësonin se kishin një fëmijë të sëmurë, apo, si thotë ai “njerëzit kishin frikë se mund të etiketoheshe se kishe një njeri me të meta mendore në xhins”.

Ai ka ndarë edhe momentin kur bashkë me mamanë e Gesit kanë vendosur ta shohin botën ndryshe edhe pse, sipas tij,  përshtatja me një fëmijë të tillë vijon të jetë një nga gjërat më të vështira për këdo që përballet me këtë realitet. “Përshtatja është një nga gjërat më të vështira për të gjithë prindërit. Kur lindi Gesi im ishte një fëmijë i qetë. Por nuk e kuptuam se si ai po distancohej prej bashkëmoshatarëve. Kjo na shqetësoi.  Ka qenë shumë e vështirë për mua dhe për nënën e tij dhe e bluanim përbrenda dhimbjen tonë prindërore.

Më pas u shkundëm dhe reaguam. Si reaguam? Duke bërë çmos që fëmija ynë të luante me moshatarët e tij. E sidomos duke e rrethuar me dashuri”, u shpreh profesor Tupja në “Refleksione”, duke mos nguruar të shohë si një hap përpara faktin që i biri duket si një fëmijë më i rritur, si një 4-vjeçar që reagon më shumë se më parë.

Teksa kujton këtë udhëtim të vështirë të tijin me Gesin, sidomos pasi arriti moshën e adoleshencës, kur reagimet filluan të ishin edhe më agresive, ai iu drejtua nga kamera në “Refleksione” në ABC të gjithë prindërve që jetojnë me fatin si të njëjtë me të: “Nga ky ekran do t’u drejtohesha gjithë atyre prindërve që kanë fatin si mua – falini sa më shumë dashuri, kushtojini kohë nga e juaja. U them vetëm qëndroni, mësohuni, falni sa më shumë dashuri për hir të mbijetesës së fëmijës tuaj. Kjo qëndresë e juaja do shpërblehet dhe kjo do t’ju bëjë të lumtur!”

Profesor Tupja ka folur gjatë rrëfimit të tij edhe për peshën e madhe të fjalës, si në përkthim, ashtu edhe në përshkrimin e “gjuhës së turpshme”.

“Trupi ekziston dhe ka të drejtat e tij. Në kundërshtim me paragjykimet, trupi, mishi është mëkatar. Vetëm mendja është e dëlire. Në atdheun tonë të vogël, me një popullsi dhe nivel kulturor që kishte nevojë për shumë emancipim, nën pasojat e një regjimi të gjatë diktatorial dhe frenues, mes nesh kishte tabu të jashtëzakonshme. Kishte tema që nuk prekeshin as në familje e shoqëri. Nuk shkruhej për to. Një aparat i tërë i kërkonte shkrimtarëve, piktorëve e skulptorëve të mos merreshin me atë që është shumë thelbësore – me bërthamën që është te seksualiteti i tij. Moshatarët e mi e kujtojnë mirë se filmat në kohën e diktaturës kishin të ndaluar edhe puthjen. Madje edhe fjalorët nuk i kanë përmbajtur dhe nuk i kanë ende si duhet këto fjalë të thuhen, por nuk shkruhen”, u shpreh Tupja, duke e konsideruar letërsinë erotike si një proces të natyrshëm dhe të rëndësishëm.

/Abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!