EDITORIAL/ Çdo grua e dhunuar na bën më të varfër shpirtërisht, më pak të lirë

schedule17:12 - 9 Shkurt, 2022

schedule 17:12 - 9 Shkurt, 2022

Dy fëmijët e Valdete Mamajt nga “Sheqi i Madh”i Fierit mund të mos e kenë besuar kurrë se në mëngjesin e 8 shkurtit do të merrnin një telefonatë për të mësuar se nëna e tyre kish mbyllur sytë përgjithmonë.

Por ndoshta, pa e marrë veten aspak nga tronditja e parë, e lajmit tragjik, dy fëmijëve të çiftit iu është dashur të ndeshen ndoshta me më të pamenduarën nga ana e tyre- që ndarjen nga kjo botë të nënës së tyre ja kish vendosur dhunshëm ai që duhej të ishte mbrojtësi më i madh i saj – babai i tyre, Petriti.

Sado të zhytemi në argumentin e varfërisë si shtytëse e dhunës në familje, ne nuk mund të pretendojmë se po themi shumë të vërteta. Sepse bashkërisht njohim shumë njerëz me pak pasuri, por më shumë buzëqeshje, e në krahun tjetër, me shumë pasuri e me pak buzëqeshje.

Natyrisht, ne nuk kemi as pse ta fshehim faktin se dhuna ka shumë gjasa të strehohet tek ata që janë në prag të mbijetesës ekonomike. Por kjo s’duhet të na ndalë në përpjekjen tonë si shoqëri për të ndalur çdo lloj dhune ndaj kujtdo femre, duke besuar se secila prej tyre mund të ishte nëna jonë, motra jonë.

Ndarja tragjike nga kjo jetë e Valdetes, në mënyrë të dhunshme e tinzare nga ai që duhej të ishte përkëdhelësi i saj, është një çast që vlen të themi me zë të lartë se, një nënë e dhunuar, një grua e dhunuar, një motër e dhunuar, një vajzë e dhunuar, është një e nesërme me më pak shpresë për njerëz të mirë mes nesh në shoqërinë e fëmijëve tanë.

Ndaj, çdo rast dhune ndaj një femre duhet të na bëjë të gjithëve të ndjehemi më pak dinjitozë në jetën tonë, më të varfër në buzëqeshjet tona.

Çdo femër e dhunuar duhet të na bëjë të ndihemi të gjithë nga pak të goditur, të gjithëve më pak të ngushtuar në lirinë tonë, nëse ne e mendojmë veten si pjesë të një shoqërie që beson në një të nesërme ndryshe për të gjithë bashkë e jo vetëm për veten.

Pa asnjë dyshim që, një fenomen i tillë e ka shoqëruar dhe do të shoqërojë njerëzimin, pavarësisht hapave të mëdha që janë bërë e që po bëhen. Por ajo që duhet të bëjnë teologët, sociologët, psikologët dhe media është që, në përditësimin e tyre të komunikimit, të mos heqin dorë nga reklamimi i asaj që humbim nga prania e dhunës në familje. E më shumë se sa të përmendim ndëshkimin, duhet të nxitojmë t’i japim më shumë hapësirë asaj që përfitojmë nga prania e dashurisë, nga buzëqeshja, nga mendimi i mirë.

Përndryshe, ne mund të ngremë mekanizma modernë për të shmangur viktima apo për rehabilitimin e të dhunuarave, por nuk do të kemi dot rrugëtimin drejt dashurisë. Sepse rikuperimi i pasojës nuk e zhduk dot shkakun. Dhe këtë mund dhe duhet ta arrijë këmbëngulja jonë për të bërë të vetëdijshme nënat, motrat, vajzat dhe të gratë se nuk duhet të bashkëjetojnë me dhunën, se nuk duhet të lejojnë zvogëlimin e jetës së tyre.

Ky mesazh, nuk është një thirrje për “like”, por një thirrje për t’u larguar nga indiferentizmi përballë pasojave që ka shoqëria nga dhuna në familje, nga dhuna ndaj grave, nga bullizmi i çdo femre! /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!