EDITORIAL/ 8 Marsi, fuqia që duhet t’u njohim grave!

schedule11:55 - 8 Mars, 2022

schedule 11:55 - 8 Mars, 2022

8 Marsi mundet fare mirë të jetë një ditë vetëm me lule dhe përqafime, sepse nënat, gratë e meritojnë. Por, teksa arsyet e urimeve janë të mëdha, nuk mundet të mos kthesh kokën pas e të mos flasësh më parë për jetë të humbura grash – jo nga sëmundjet, jo nga vrasjet në rrugë, por për fat të keq, nga dhuna në familje.

Ndaj 8 Marsi duhet të jetë më së pari një përkujtim për këdo që nuk mundëm dot ta ndihmonim, t’i ishim pranë kur ajo kish nevojë për një dorë nga ne, për një ndihmë që të thoshte gjithçka që kish nevojë për jetën e saj.

Ne duhet ta themi me zë të lartë, se një nënë e dhunuar, një grua e dhunuar, është një plagosje për një nga shtyllat më të rëndësishme të shoqërisë sonë, për arterien e madhe të dashurisë që i jep shoqërisë.

Ndaj, në vend të një urimi për sot, le të urojmë që lulet dhe buzëqeshja për nënat dhe gratë të mbillet fort në atë gjuhë që duhet të flasim çdo ditë, si një përkushtim ndaj tyre për familjen.  Dhe vetë gratë le të mos e shohin thjesht si një ditë që derdhen parukerive e restoranteve (të cilat në fakt i meritojne çdo ditë), por të jetë dita kur, të paktën, një herë në vit, të thërrasin fort për forcën e tyre, rëndësinë e tyre, përkrah bashkëshortëve, prindërve, fëmijëve dhe të gjithë atyre që i qëndrojnë në krah!

E mbi gjithçka, 8 Marsi të jetë një thirrje për të gjithë gratë, që së bashku të ftojnë shoqërinë që të kuptojë se duke mbrojtur jetën e tyre kanë mbrojtur shoqërinë, kanë investuar për të ardhmen! /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!