Edicioni Veror 20 gusht 2018

schedule09:18 - 21 Gusht, 2018

schedule 09:18 - 21 Gusht, 2018

Këtë puntatë Edicioni Veror ka një të ftuar vërtetë special. Simpatiku Otis është qeni që qëndron tek kampi i Ecovolis në Jalë dhe bashkë me shokun e tij Arlindin bëjnë disa ecje çdo mëngjes dhe pasdite, duke krijuar një marrëdhënie shumë të ngushtë mes tyre.

https://youtu.be/-0Ml33QiNA0

Një udhëtim energjik për në majë të malit duke përftuar një pamje fantastike të plazhit të Jalës. Rrugës kamera jonë u ndesh dhe me një gërmadhë që supozohet të ketë qenë një kishë shumë vite më parë, por që akoma mbetet një atraksion dhe pse nuk dihet historia e saj. Nën udhëheqjen e Otisit, u eksploruan shtigje të shumta të parrahura nga njerëzit, për të arritur në majën e shkëmbit. Ngjitja zgjati rreth 45 minuta teksa Dielli sapo kishte filluar të prekte bregdetin e Jalës. Edicioni Veror e pagëzoi shkëmbin si “Guri i Otisit” si eksploruesi i parë që u ngjit në atë pikë. Lartësia e shkëmbit mbetet relativisht e vogël, rreth 200 metra. Mali në tërësi, pavarësisht se i thatë, përmbante gjithashtu dhe shumë bimë mjekësore si: çaji jeshil, dafina e egër, sherebela etj.

Otisi na rikujtoi dhe njëherë se qeni është miku më i mirë i njeriut. Edicioni Veror sugjeron që këdo që ka dëshirë të eksplorojë nëpër male të marrë më vete një mik si Otis, për një udhëtim sa më të këndshëm.

Edicioni Veror bëri një shëtitje nëpër kalldrëmet e vjetra të Lukovës bashkë me kryeplakun e fshatit, Iqifor Buci. U njohëm me lagjen më të vjetër të fshatit të ndërtuar para viteve 1800. Kalldrëmet janë rikonstruktuar nga punëtorët e fshatit në vitin 1971. Më rregullimin e qendrës së re të fshatit, duket se edhe turizmi është bërë më i mbarë për këtë zonë tashmë pasi ka më shumë alegri e aktivitete.

Tashmë kanë filluar të rindërtohen dhe disa prej shtëpive që turistët të ketë mundësi të futen në retrospektivë. Fshati është ndërtuar pranë burimit të Gurrës, i cili ka shërbyer për vaditjen e baçeve dhe për freskinë e fshatit. Edicioni Veror u qeras nga banorët me rrush nga vreshtat e zonës. Karakteristikë e fshatit janë njerëzit zemërgjerë. Gjithashtu, në Lukovë janë xhiruar dhe një pjesë e filmave të vjetër shqiptarë si psh: Kapedani; Përtej Detit etj. Në këtë fshat, gjithashtu gjendet dhe një fabrikë sapuni e cila daton që në vitet ‘20.

Kamera jonë u mirëprit dhe në një nga shtëpitë e fshatit duke e damkëzuar mikëpritjen si një nga cilësitë më shembullore të tij. Një nga veçantitë e Lukovës mbeten dhe plazhet e virgjëra me pamje mahnitëse. Sipas banorëve, zhvillimi i turizmit është premtuas për një të ardhme të ndritur të zonës. Pas vizitës në fshat, Edicioni Veror zbriti dhe në plazin e shpellave. Banorët thanë se ky plazh quhet kështu pasi në fund të bregut ndodhen disa guva në formë shpelle, në të cilat futet deti shumë thellë. Në atë zonë nuk ka ndërtime dhe hotele, pasi të gjitha zonat ndodhen në fshat./abcnews.al