Drejtuesi i emisionit “Real Story”, Sokol Balla ndodhet në qytetin e Fierit, aty ku kryeministri Rama dhe skuadra e tij e Partisë Socialiste mbyllin fushatën elektorale për qarkun Fier.
“Real Story” në ABC News zhvendoset në Fier, pasi në rreth orës 20:30 kryeministri Edi Rama do të jetë në një intervistë ekskluzive.
Përballë gazetarëve dhe analistëve kryesocialisti do të flasë për situatën aktuale të sferës politike, fushatën elektorale dhe emocionet për “takimin me historinë”, siç vetë kryeministri preferon ta cilësojë të dielën e 11 majit.
Sokol Balla bëri të ditur se do të flitet gjithashtu për premtimet e mëdha që ka bërë Rama, integrimin në BE dhe pasaporta europiane, e cila ka qenë në fakt kryefjala dhe simbolika e të majtëve.
“Ju flas nga qyteti i Fierit, këtu ku pas pak minutash pritet që të fillojë një nga mitingjet më të mëdha të Partisë Socialiste, pikërisht në qarkun e dytë më të madh në vend, i cili do të prodhojë 16 mandate dhe ku Partia Socialiste është në një sfidë të fortë, jo vetëm për ta fituar qarkun, por dhe për të fituar mandatin e dhjetë të cilin e humbi gjatë zgjedhjeve të vitit 2021. Sigurisht që është një qark shumë i rëndësishëm dhe për të majtën shqiptare dhe që do të jetë vendimtar dhe në një përcaktim të rezultatit. Unë do të jem nga ora 20:00 këtu në Fier, me të ftuar, me kolegë të mijtë analistë dhe më pas rreth orës 20:30 me mua do të bashkohet kryetari i Partisë Socialiste, kryeministri Edi Rama, i cili do të jetë i fundit që do të flasë në këtë miting. Në bisedën time sigurisht që do të prekim tema të aktualitetit të kësaj fushate, duke filluar dhe ngjarjet që kanë ndodhur sidomos javën e fundit, ku nuk ka munguar dhuna. Një tjetër ngjarje e një kandidatin për deputet i cili kapet me drogë në Sarandë.
Sigurisht një temperaturë që sa vjen e rritet në këto tre ditë të fundit të kësaj fushate e cila në dukje ka një rezultat të përcaktuar për askush nuk e di se çfarë do të ndodhë, kjo edhe për shkak të votave në rritje të emigrantëve. Votave për Greqinë, ato të cilat po shtohen ditët e fundit edhe në akuzat e opozitës se diçka nuk po shkon mirë atje. Sigurisht do të flasim me Edi Ramën edhe për stilin e kësaj fushate…që ishte pranë spektaklit, larg një llogaridhënie të mirëfilltë, kjo edhe për shkak të situatës që gjendet kundërshtari i tij përballë. Padyshim do të flasim edhe për premtimin e madh të kryeministrit që thotë se Shqipëria në 2030 do të futet në BE, një bast i tij i fortë që do të testohet, që nga 2026 atëherë kur Mali i Zi do të përfundojë negociatat, dhe do të shohim nëse sjellja e BE do të jetë ajo që është sot dhe ajo që do të jetë më 16 maj ku i gjithë komuniteti europian do të zbarkojë në Tiranë. Kështu për të gjitha këto na ndiqni nga ora 20:00 live nga Fieri me Kryeministri Edi Rama, këtu në ABC News”, tha Sokol Balla./abcnews.al