Sindikata e Futbollistëve Profesionistë Shqiptarë ka vendosur të mos qëndrojë duarkryq në këtë situatë të vështirë. Pako me ushqime dhe pije janë përgatitur për futbollistët shqiptarë dhe gjithçka nisi në datë 7 prill, teksa ishin lojtarët afrikanë që përfituan të parët.
SFPSH ka marrë një tjetër nismë dhe nuk ka harruar as futbollistë të së kaluar, të cilët kanë dhuruar emocione të paharrueshme për tifozët shqiptarë. Kryesia falënderon futbollistët dhe ish-futbollistët e ekipit kombëtar, gjithashtu dhe futbollistë të Kategorisë Superiore për gatishmërinë e shprehur për të përkrahur këtë nismë për t’i ndihmuar ata.
“Të nderuar miq, siç jeni në dijeni, Sindikata e Futbollisteve Profesionistë Shqiptare prej disa ditësh ka filluar shpërndarjen e ndihmave për futbollistët në gjendje të vështirë ekonomike. Por, gjatë këtyre ditëve kemi konstatuar një situatë shumë më të rendë se ajo që mund të përballojë Sindikata jonë.
Konkretisht kemi konstatuar se, sot, në një situatë shumë të vështirë ndodhen edhe ish-futbollistët, ata për të cilët ka detyrim e gjithë shoqëria jonë. Sindikata, duke i vlerësuar për kontributin që kanë dhënë për futbollin shqiptar si dhe duke i konsideruar anëtarë moral të Sindikatës, ka vendosur, që në këtë situatë të vështirë, të bëjë pjesë të paketës së ndihmave që do të shpërndajë edhe ish-futbollistët.
Kryesia e Sindikatës falënderon në mënyrë të veçantë futbollistët dhe ish-futbollistët e ekipit kombëtar, gjithashtu dhe futbollistë të Kategorisë Superiore për gatishmërinë e shprehur për të përkrahur këtë nismë të Sindikatës. Futbolli na bashkon të gjithëve. Te gjithë së bashku do ta kalojmë këtë situatë të vështirë“, lexohet në komunikatën e SFPSH. /abcnews.al