Arena Kombëtare priti Shqipërinë dhe Francën në seancat e para stërvitore. Pak orë para zhvillimit të ndeshjes së Europianit mund të thuhet se gjithçka është gati, ndonëse punime të vogla ende vazhdojnë. “Arena Air Albania”, e njohur në publik si Arena Kombëtare, mund të thuhet se është gati për të pritur ndeshjen Shqipëri-Francë në Euro 2020.
Pas më shumë se 3 vjet punimesh, gjithçka thuajse ka mbërritur në cakun e fundit, edhe pse nuk qe e mundur që kjo shtëpi e re e futbollit shqiptar të ishte e rregulluar, e pastruar dhe me të gjitha orenditë në vendin e vet. Në pjesën e jashtme, edhe pse sheshi është gati, nuk kanë përfunduar punime anësore për gardhet, trotuaret dhe vendosjet e pllakave.
Makineritë dhe punëtorët, edhe pse shumë më të paktë, dhe të zhvendosur më lart fasadës, sërish duhet të jenë aty. E gjitha kjo do të kërkojë edhe pak kohë, dhe nga e mërkura, e premtja, apo edhe paraditja e së shtunës, tani afatet janë shtyrë përgjatë natës apo mëngjesin e së dielës.
Gjithsesi, janë larguar të gjitha skelat dhe pjesa dërrmuese e mjeteve teknike, ndërsa ka përfunduar vendosja e pllakave në shesh, pastrimi i tij përfundimtar, si dhe është shtruar asfalti, ndonëse nuk ka qenë e mundur të bëhen vijëzimet. Natyrisht, nuk ka asgjë të jashtëzakonshme këtu. Stadiume legjendarë si “Wembley” i Londrës kanë provuar vonesa disavjeçare, për shkak të gjyqeve dhe problemeve financiare.
Natyrisht, pjesa e brendshme, ajo sportive, ishte në rregull më përpara. Fusha ishte e përfunduar, e vijëzuar dhe e korrur prej ditësh, ndonëse përpunimi i saj vazhdoi deri në fund. Besohet se pjesa jugore, ajo pranë portës, nuk do të sjellë shqetësime gjatë ndeshjes me Francën, dhe për fat nuk parashikohen as reshje shiu.
Vonesat më të mëdha në brendësi ishin tek bari dhe restoranti, apo tek lozhat VIP. Edhe të shtunën në drekë apo pasdite vonë, sërish nuk kishin përfunduar hedhja e llaçit për të mbuluar plotësisht dyshemenë. Sidoqoftë, Arena është diçka e bukur, me kombinimin e ngjyrave të ulëseve, të tribunave dhe me gardhet prej qelqi që përballojnë presion të madh.
Çdo gjë është kontrolluar edhe një herë, përfshi edhe kamerat e sigurisë, qendrën e zërit, përforcuesit e zërit. Po ashtu, sistemi I hyrje daljeve në stadium, masat e sigurisë, zona e gazetarëve dhe ajo e transmetimit televiziv. Një stadium që mund të ketë kushtuar nga 30 deri në 35 milionë euro (pjesa tjetër I përket kullës dhe shitoreve), nuk mund të pranohet të ketë mangësi.
Salla e konferencave priti për herë të parë trajnerët dhe kapitenët, fillimisht Edi Rejën dhe Elseid Hysajn e Shqipërisë, dhe pas një ore edhe Rafael Varane e Francës, menjëherë pas tij edhe trajnerin Didie Deschamps. Gazetarët shqiptarë nuk është se mbetën shumë të kënaqur nga sasia e pyetjeve që arritën t’u bënin kampionëve të botës.
Si shpesh, herë ne jemi më mikpritës sesa duhet me të huajt, që u ndjenë si në shtëpinë e tyre. Nuk mungoi kaosi i herës së parë për itinerarin e lëvizjes brenda stadiumit të gazetarëve e kameramanëve. Sidoqoftë, të gjitha këto do të harrohen, ndërsa kënaqësia ishte e madhe për seancën e parë historike të ekipit kombëtar në tapetin e “Arenës Air Albania”. Po ashtu, historik fakti se përurimi zyrtar u bë nga kampionët e botës në fuqi, “gjelat” e Francës. /abcnews.al