Eden Hazar ishte vendimtar në fitoren e Çelsit në Premier Ligën angleze. Ylli belg shpreson ta kualifikojë skuadrën për në Champions, përpara sesa të shkojë tek Reali
Tapetin e kuq në Madrid e kanë gati për të.
Eden Hazar ishte parashikuar nga Zhoze Murinjo si lojtari i vetëm që mund të luante në nivelin e Mesit e të Ronaldos, dhe belgu tregoi diçka nga talenti i tij në fitoren e Çelsit kundër Uest Hemit.
Me dy gola të shënuar, i dyti vërtet prej klasi, numri 10 sikur deshi t’u bënte tifozëve kartolinën më të bukur të lamtumirës.
Nuk ka thuajse asnjë dyshim që Hazar do të shkojë tek Reali këtë verë, por pas shumë vitesh me fanelën blu, ai dëshiron që të jetë një ndarje me dashuri me tifozët e brohoritën vazhdimisht.
Mënyra më e mirë për ta bërë, në këto kushte, është duke ndihmuar Çelsin që të kualifikohet për në Champions, dhe kjo bëhet vetëm me fitore e me gola.
Pas humbjes së Arsenalit në fushën e Evertonit, blutë e Londrës patën shansin që e shfrytëzuan falë Hazarit, duke u ngjitur në vendin e tretë në renditjen e Premier Ligës, me 66 pikë.
Opinionistët e ngritën në qiell yllin nga Belgjika, ndërsa flisnin për “Skaj Sportin”.
Ish-lojtarët Xhemi Karrager dhe Geri Nevil e quajtën Hazarin si tepër të madh për Çelsin e sotëm, dhe si lojtarin më të mirë të kampionatit anglez.
Vetë Hazar hodhi poshtë, pas ndeshjes, se largimi i tij për tek Reali është i sigurt, ashtu siç thërrisnin tifozët e Uest Hemit, dhe siç kanë frikë tifozët blu.
Çelsi është në pozicion të mirë për Championsin, mbi Totenhemi, Arsenali e Mançester Junajtidi./abcnews.al