“Eco Tirana” në të gjithë kryeqytetin/ Veliaj takon kryebashkiakun e Veronës dhe Vizensas

schedule15:44 - 14 Prill, 2024

schedule 15:44 - 14 Prill, 2024

Ndërmarrja e pastrimit “Eco Tirana” do të zgjerojë shërbimin  në të gjithë kryeqytetin. Kryetari I  Bashkisë Erion Veliaj e deklaroi nga Verona ku takoi kryetarin e bashkisë, Damiano Tommasi  dhe kryetarin e Bashkisë së Viçencës, Giacomo Possamai, qytetet partnere në këtë shërbim.

“Siç vendosi Këshilli Bashkiak, Eco Tirana do të marrë në administrim të gjithë territorin e Tiranës metropolitane, duke future në shërbim nga 200 mijë banorë çdo 2-3 muaj. Kush vjen në Tiranë sot, e di që është qyteti më i pastër. Mund të ketë debate, mund të ketë diskutime, janë mëse normale në një vend demokratik, por sot Tirana është si “dita me natën” për pastërtinë.”, tha Veliaj.

Një tjetër shërbim që duhet shtuar në Tiranë sipas kryetarit të Bashkisë lidhet me krijimin e ishujve ekologjikë. Qytetarët që heqin elektroshtëpiake apo mobile nga shtëpitë, t’i çojnë në një vend të caktuar.

“Duam të ofrojmë një shërbim të ri, ku qytetarët të sjellin produkte që nuk mund të futen në kazanët e rregullt të mbetjeve. Duam të shtojmë gjithashtu edhe disa shërbime të tjera, se si mund të përdorim edhe ujin e Bovillës, por edhe tarracat e qytetit, për të prodhuar më shumë energji. Lajmi i dytë i mirë, përveç kategorisë së pastrimit dhe energjisë, ka të bëjë me eksperiencën në “Fiera di Verona”, e cila është zona më e madhe e panaireve. Kryeministri ynë dhe kryeministrja e Italisë e kanë nisur tashmë një bisedë dhe po shikojmë mundësinë sesi të gjejmë instrumentin ku Tirana të bëhet gjithashtu, pjesë e rrjetit të panaireve, të mësojmë ose të bëjmë sërish një partneritet publik-publik me panairet e Veronës dhe të Tiranës”, tha Veliaj.

Kryetari i Bashkisë së Veronës, Damiano Tommas dhe ai i Viçencës Giacomo Possami vlerësuan bashkëpunimin mes tre qyteteve

“Është një mënyrë e shkëlqyer për të konfirmuar partneritetin tonë dhe arritur synimin për të bashkuar tre administratat tona, këto dy realitete korporatash, pasi për ne është edhe një shfaqje e profesionalizmit italian, i eksperiencës dhe ndërthurjes së partneritetit publik e privat në një shërbim shumë delikat, siç është ai i pastrimit dhe grumbullimit të mbetjeve të qytetit.”, tha Tommas.

“Ky partneritet është një mesazh, madje një mesazh i fortë, në planin e së ardhmes. Eshtë një shenjë e rëndësishme e punës së përbashkët të një Evrope që po mendon dhe po ndërton lidhjet e saj mbi praktikat e mira, në pritje dhe duke shpresuar që së shpejti Shqipëria të bëhet pjesë e familjes së madhe të Bashkimit Evropian”, tha Possami.

Gjatë vizitës në Verona kryebashkiaku Veliaj  takoi gjithashtu  ministrin italian të Ekonomisë dhe atë të  Agrokulturës  si dhe ministrin spanjoll të Agrokulturës.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!