Napoli e ka marrë veten, Gennaro Gattuso po ia del nga ndeshja në ndeshje të rikthejë në formë një skuadër që kishte harruar të luante futboll, por testi real i forcës së nënkampionëve të Italisë është përballje me Barcelonën.
Sfida e parë për një vend në çerekfinalet e Champions League zhvillohet të martën në “San Paolo” dhe një analizë rreth kësaj ndeshje ka dhënë Fabio Capello për Sky Sport, ish-trajneri i famshëm italian.
“Napoli ka gjetur identitetin e humbur, Gattuso po bën një punë të madhe. Trajneri ka vepruar mirë duke lënë në shtëpi ata që nuk janë stërvitur mirë. Nëse nuk stërvitesh në maksimum, nuk mund të luash mirë.
Barcelona ka shumë cilësi dhe mund të mbështetet te lojtarë gjenialë që mund të të vendosin në vështirësi në çdo moment. Gjithsesi, mendoj se Napoli mund të luajë si i barabartë të martën“, thekson Fabio Capello. /abcnews.al