Presidenti gjerman, Frank-Walter Steinmeier në ceremoninë përkujtimore, 80 vjet pas fillimit të deportimeve të hebrenjve berlinezë më 18 tetor 1941, paralajmëroi nga forcimi i antisemitizmit në Gjermani. Qytetaret dhe qytetarët hebrenj ende “janë të ekspozuar gjithnjë e më shpesh und gjithnjë e më shumë ndaj gjuhës së urrejtjes antisemitiste dhe sulmeve antisemitiste”, u shpreh Steinemier në platformën 17 në stacionin Grunevald nga filloi edhe deportimi i hebrenjve. “Kurrë më antisemitizmi nuk duhet të ketë vend në shoqërinë tonë”, tha Steinmeier. Kurrë më qëndrimet antisemitiste dhe vepra të tilla nuk duhet të mbesin pa kundërshtime dhe reagime publike.
Presidenti gjerman, Steinmeier theksoi se, dokumentet e Konferencës së Wannsee, ku dy javë pas fillimit të deportimit të hebrenjve nga Berlini, u vendos vrasja e hebrenjve europianë, të lenë fjalë ende edhe sot. Këto dosje dhe shumë dokumente të tjera të bëjnë të ditur sot, se sa shumë vetë kishin dijeni për shfarosjen e hebrenjve. “Krimi ndodhi para syve të të gjithëve, përjashtimi dhe deportimi ndodhi në mes të përditshmërisë gjermane, kjo është e vërteta e tmerrshme”, tha Steinmeier. “Shumë bashkëpunuan, shumë e ekzekutuan krimin në mënyrë burokratike, shumë përfituan prej tij.”
Plani tinzar
Në vitin 1941 vjetësh Gjermania naziste nisi deportimin e hebrenjve në geto, kampe pune dhe ato të shfarosjes. Fillimisht flitej vetëm për “zhvendosjen” e hebrenjve në drejtim të Lindjes. Por me shtimin e transporteve dhe shtimin e numrit të hebrenjve të deportuar nuk ishte më e mundur mbajtja sekret e deportimeve. Jo rrallë kolonat me hebrenj që shkonin në stacion duhet të kalonin mes për mes qytetit, para syve të popullsisë berlineze. “Trenat e posaçëm” me hebrenjtë e Berlinit u nisën nga tetori1941 deri në prill 1945 shpeshherë me një ritëm javor, por pjesërisht edhe ditor. Nga tetori 1941 deri në prill 1942 hebrenjtë dërgoheshin në geto në Lodxh, Minsk, Riga apo geton e Varshavës. Disa nga transportet shpesh përfundonin me eliminimin masiv të hebrenjve sapo mbërrinin në destinacion, si për shembull vrasja e 1035 hebrenjve, që lanë më 27 nëntor 1041 stacionin Grunevald dhe u ekzekutuan sapo mbërritën në Riga. Kurse në fund të vitit 1942 trenat kishin si destinacion vetëm kampet e shfarosjes, Aushvic apo Terezin.
Stacioni famëkeq më i njohur i Berlinit është Platforma 17 në Grunevald, dikur një stacion mallrash, i cili u zgjodh nga nazistët, sepse duke qenë larg qendrës, nuk tërhiqte vëmendjen e opinionit, nga ana tjetër si stacion mallrash ai i kishte lidhjet.
Transporti i parë u krye më 18 tetor 1941 nga stacioni Grunevald me 1013 vetë. Vetëm nga ky stacion u deportuan 50.000 hebrenj. Por ky nuk ishte stacioni i vetëm. Edhe platforma 2 në stacionin Anhalter apo platforma 69 në stacionin e mallrave Moabit kanë historitë e tyre të tmerrit për të rrëfyer. Shumica e hebrenjve u deportuan në vazhdim nga stacioni Moabit, 30.000 hebrenj u dërguan nga aty në Aushvic, Treblinka apo Sobibor. Kurse nga stacioni Anhalter niseshin të ashtuquajturit “transportet e vegjël të të moshuarve”, të cilët dërgonin në të ashtuquajturën geto e pleqve në Bohemi. Por zgjimi i tmerrshëm për shumë hebrenj vinte sapo zbrisnin nga trenat, shkruan në një artikull radio rbb24.
Ky ishte një plan mjaft tinzar, shkruan në një artikull gazeta gjermane “Welt”, sepse iu la komunitetit hebraik të kryeqytetit të Rajhut, që të organizonte deportimin e hebrenjve nga Berlini. “Futja në trena pasagjerësh të vjetër por të rregullt e të pastër sipas një sistemi të ngritur nga komuna, nuk u bë me probleme dhe pa ndonjë padrejtësi”, ka kujtuar Hildegard Henschel, bashkëshortja e kreut të fundit të komuniteti hebraik, sipas një artikulli të gazetës “Welt” (17.10.2021). Më 1 tetor 1941 administrata e qytetit kishte bërë të ditur, se do të fillonin së shpejti “zhvendosjet” e hebrenjve të Berlinit në drejtim të Lindjes. Sinagoga në Levetscovshtrase u kthye në stacion pritës. Këtu duhej të mblidheshin më 15 tetor ata që duhet të deportoheshin, pas letrave që kishin marrë ndonjë letër të Gestapos. Komuniteti përpiqej të bënte më të mirën, ka thënë Hildegard Henschel. “Ushqime, ilaçe, artikuj sanitarë, çarçafë, veshje, këpucë, gjithçka u mbodh tek Levetcovshtrase”.
Por të gjitha këto nuk e lehtësuan fatin e atyre që do të deportoheshin. Shumë vetë e kërkuan shpëtimin në vetëvrasje. “Brenda një dite në mes të tetorit 1941, 280 vetë vranë veten, sepse kishin marrë urdhrin për deportim apo prisnin që t’u vinte ky urdhër”, shkruan “Welt”. /DW