E turpshme, reagon djali i Metush Seferit: Fali babë, këta që kanë Tiranën s’dinë ç’bëjnë!

schedule08:54 - 21 Shkurt, 2021

schedule 08:54 - 21 Shkurt, 2021

Metush Seferi, ish-presidenti i Tiranës, u nda nga jeta disa ditë më parë prej Covid-19, ndërkohë që në klubin bardheblu shprehën ngushëllimet e tyre përmes një postimi në rrjetet sociale.

Në fakt aq është e pamjaftueshme dhe këtë e kanë shprehur tifozë dhe gazetarë të ndryshëm, pasi takimi me Teutën me çdo kusht duhet të kishte nisur me një minutë heshtje dhe lojtarët duhet të luanin me shirita të zi në krah.

Kjo nuk ndodhi dhe nuk kaloi pa u vënë re, pasi me të vërtetë e turpshme. Djali i të ndjerit, Alban Seferi, e ka shprehur indinjatën e tij përmes rrjeteve sociale, madje ka komentuar në një nga postimet e Tiranës për ndeshjen me Teutën.

“Fali babë, se s’dinë çfarë bëjnë. Po mirë more përfaqësuesit aktualë të FK Tirana, mos ishte shumë për ju të mbanit një minutë heshtje e të kishit një shirit të zi në krah në emër të kupave që i ka dhënë im atë asaj fanelle plot fisnikëri.

Po kujt ia kërkojmë edhe ne… Ju as e keni idene kë përfaqësoni e jo më të keni ndonjë ndjenjë turpi. Faleminderit klubit Tirana për respektin, por ato kupa e atë histori suksesesh nuk e fshini dot”, shkruan Seferi.

 

E shkuara mes Refik Halilit dhe familjes Seferi nuk ka qenë e mirë, pasi i ndjeri Metush Seferi kishte çuar në gjyq Tiranën dhe kishte fituar 600 milion lekë, që nuk i mori dot sa ishte gjallë.

Akuzat e ndërsjella kanë qenë të shpeshta dhe çështja “Seferi” tani do jetë edhe më e vështirë të zgjidhet nga ana e drejtuesve aktualë të 25 herë kampionëve të vendit. / abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!