Jelekët e verdhë kanë zbritur në shesh në të shtunën e 18 të protestave në Francë. Duke e konsideruar manifestimin e radhës si një ultimatum ndaj presidentit Makron, që në orët e para të ditës janë shënuar përplasje të dhunshme mes protestuesve dhe policisë.
Ka nisur dhunshëm e shtuna e 18 e protestave të jelekëve të verdhë në Francë. Në Champs-Elysees janë regjistruar përplasje mes protestuesve dhe agjentëve të policisë, një risi kjo pas disa javësh qetësi dhe manifestimesh me pjesëmarrjen e qindra personave.
20 persona u arrestuan nga policia ndërsa qindra manifestues kanë mbërritur në Paris për atë që ishte cilësuar si një takim vendimtar, i pagëzuar me emrin “ultimatum ndaj Makron”. Ndërkohë autoritetet kanë marrë masa të ashpra sigurie duke vendosur në gatishmëri një numër të konsiderueshëm agjentësh. Për lëvizjen e jelekëve të verdhë e shtuna e sotme mund të jetë një pikë kthese, me policinë përgatitur për tu përballur me një grup të madh protestuesish, pothuajse të njëjtë në numër sa në muajin janar. Por njëkohësisht u zhvillua dhe një marshim për të kërkuar mbrojtjen e ambientit dhe betejë ndaj ndryshimeve klimatike. Si dhe një grup tjetër manifestuesish të cilët bënë apel që të mos përdoret dhunë ndaj policisë.
Protestës do i bashkohen dhe shitësit ambulantë të cilët u kanë kërkuar jelekëve të verdhë që ti mbështesin në kërkesat e tyre për më shumë të drejta./abcnews.al

