E “shënjestruar” nga të gjitha pushtetet, historia e lagjes “Subash” në Krujë me objekte shekullore

schedule12:21 - 23 Maj, 2020

schedule 12:21 - 23 Maj, 2020

Lagja Subashi në Krujë është plot histori. Të gjitha pushtet, nga ai diktatorial deri tek të sotmit, në këtë zonë me objekte deri dhe 500 vjeçare kanë ndërhyrë ose kanë tentuar të ndryshojnë origjinalitetin e saj.

“Janë prishur pallatet pas shtëpive tona që ka qenë dikur pronë e Subashëve. Në kohën e Partisë së Punës i morën dhe bënë pallate. Janë prishur dy pallate aty dhe ishte menduar nga ata që ishin marrë me rikonstruktimin e Krujës që të prishej dhe lagjja jonë do futej brenda”, thotë një banor.

Pas tërmetit të 26 nëntorit të vitit të kaluar disa pallate në Krujë  janë dëmtuar, ndaj qeveria ka nisur punën për rindërtimin e tyre. Banorët e lagjes “Subash” për të ndaluar shembjet e banesave protestuan disa ditë me radhë.

Në projektin paraprak ata kanë parë se prekeshin dhe banesat e tyre. Më pas kreu i Bashkisë, Artur Bushi ju premtoi se projekti do të rishihet por ky premtim mbeti vetëm fjalë.

“Autoktonë 400-500 vjeçare. Hynim dhe dilnim në këtë derë, kushdoqoftë se jemi të rrethuar me këtë mur si të jemi kështjellë. Jemi farefis. Ishte një projekt që u bë pa verifikim pa mendim, ne shkatërroheshim”, thotë një prej tyre.

Madje Angjelina Subashi thotë se dhe gurët origjinalë të derës qendrore ku hynin të gjithë banorët i kanë ruajtur. Tani duan ta ndërtojnë sërish.

“Kjo është porta e madhe, gurët i kemi ruajtur do ta ngremë siç ka qenë. Meqë u shtuan, njerëzit hapën një portë më vete. I gjithë fisi ishte këtu. Këtu ishte celsi. Kush vinte i fundit mbyllte porten dhe ishim të gjithë brenda. Kjo është rrugica që shkonim secili në portë të vetë. Nuk ka asnjë dëmtim nga tërmeti mund të kenë mbi 200 vjet dhe këto mure janë të rezistueshme dhe nuk kemi vënë dorë”.

Nevoja e njerëzve për tu strehuar bëri që në këtë lagje të mirëpriten dhe banorë të rinj.

“Këtu ka qenë mbyllja. Këta janë të ardhur këtu. Para kanë ardhur tek vjehrri im dhe kanë marrë. E pyetëm; -na pranon të vijmë në këtë lagje”? -ai i tha jeni të mirëpritur, jeni si në Subashë.

Këta banorë thonë se kjo banesë është blerë me paratë e punës shumë vjeçare në emigracion.

“Këtë shtëpinë këtu e ka blerë djali para 7-8 vjetësh. Shpenzim kolosal. Mu prish pallati dhe erdha të jetoj tek djali se më qëlloi djali jashtë. Shkatërrohemi komplet se e kemi blerë shtrenjtë. Inshalla ju kthen mendja e nuk bëjnë atë punë. 22 vjet djali në Greqi për të blerë këtë shtëpi”.

Angjelina që mori rolin e cicerones tregon për ABC News dhe banesat që gëzojnë mbrojtje të veçantë.

“Kjo është shtëpia ime është monument kulture”, thotë ajo.

Ajo na fton në shtëpinë e saj ku jeton me bashkëshortin Hasanin i cili na pret me një sens të lartë humori. Në një situatë pandemie rregullat për mënyrat e përshëndetjes kanë ndryshuar.

“Këtu kanë punuar 6 ustallarë bullgarë. Babai jetoi 102 vjeç dhe i ati 104 vjeç dhe 106 ka vdekur gjyshi i vetë. Unë jam 91 vjeç. Kjo tregon se brezi jonë pa kaluar një shekull nuk ikën. Kjo shtëpi mund të ketë 130-140 vjet”, thotë i zoti i shtëpisë.

Ai tregon se në njërën nga dhomat lidheshin dhe martesat.

“Këto dritaret ishin për vajzat, shuanin kureshtjen e tyre. Shikonin njëherë dhëndrin pastaj i jepnin gocat, futeshin këtu dhe këta kuvendonin këtu. Funksioni i kësaj dhome ishte vetëm për tu parë”.

Më tej i zoti i shtëpisë tregon shkallët dhe vendin ku rrinin vajzat e shihnin çfarë bëhej në dhomën ku lidheshin martesat.

“Këtu ishin shkallët lart që ngjiteshin gocat që të shihnin lart çfarë bëhej tek dhoma se ishin të fshehta atëherë. Ky sënduku mbahej për të mbajtur pajën”.

“Kjo është ruajtur që nga 1979 nga komiteti ekzekutiv i rrethit që u vu në dispozicion të monumenteve të kulturës dhe u porosit që të mos ngulet as dhe një gozhdë”, vazhdon bisedën Hasani.

Rreth 400 vite më parë në lagjen Subash në Krujë ishin vetëm dy banesa ndërsa ndër vite lagjja u popullua dhe u ndërtuan dhe 18 të tjera.

Shtëpitë më të vjetra që në kohë e monizmit u shpallën monument kulture./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!